Ka nisur sot në të gjitha shkollat e vendit, mësimi plotësues që i paraprin hapjes zyrtare të vitit të ri shkollor më 27 shtator 2021.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi dha një mesazh të martën për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar:
“Të gjitha shkollat janë gati për mësimin plotësues, i cili u vlerësua nga ekspertët, mësuesit dhe prindërit si një nevojë, sidomos për nxënësit në zonat e riskut në kohën e kulmit të pandemisë, ku mësimi online zgjati më shumë se në zonat e tjera të vendit.
Të dashur prindër dhe mësues,
Puna, bashkëpunimi dhe solidariteti juaj na kanë ndihmuar shumë në punën tonë të përbashkët përgjatë vitit të vështirë që kaluam. Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë.
Së fundmi, dua t’ju rikujtoj të gjithëve që të mos harroni kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID, për të ruajtur shëndetin dhe të afërmit tuaj. Suksese të gjithëve!”