Ish -deputeti serb: Asociacioni nuk do të themelohet gjatë vitit 2017

Ambiciet e përfaqësuesve politik të bashkësisë serbe në Kosovë për vitin 2017, janë në përputhje me shpresat dhe kërkesat e bashkësisë të cilën e përfaqësojnë ata, vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve në institucione të Kosovës.

Por, megjithatë njohësit e zhvillimeve politike kanë pikëpamje tjetër për atë se a janë të realizueshme këto ambicie.

Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se para së gjithash, shpreson që situata politike në Kosovë të qetësohet, në mënyrë që përfaqësuesit politik të serbëve t’i dedikohen angazhimit për të cilin edhe janë zgjedhur nga bashkësia e tyre, që nënkupton krijimin e kushteve për jetë më të mirë.

“Natyrisht që të gjithëve që jetojnë në këtë hapësirë, ju mungon shumëçka. Shumë institucione nuk funksionojnë siç duhet. Kur e them këtë, nuk mendoj vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët. Mendoj se të gjithë, me të drejtë janë të pakënaqur se si punojnë gjykatat dhe prokuroritë. Me të drejtë janë të pakënaqur se si punojnë disa pjesë të policisë punojnë në hapësira të caktuara, sepse nuk punojnë njëjtë në të gjitha pjesët”.

“Qytetarët kanë të drejtë kur presin ndryshime. Na nevojiten ndryshime lidhur me situatën ekonomike që kemi. Njerëzit kanë nevojë për vende pune ,sepse nuk kanë se si të jetojnë. Të mos flas për situatën në arsim, ndonëse disa gjëra kanë lëvizur para, por ende jemi larg asaj që duhet të jetë. Njerëzit kërkojnë nga ne që të bëhet më mirë”, tha Stojanoviq.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Petar Miletiq, ish deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e bashkësisë serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se ambiciet e bashkësisë serbe në Kosovë janë që ta ndryshojë gjenden e vështirë në të cilën jetojnë, e sidomos ta përmirësojnë perspektivën për të rinjtë.

“Serbi mesatar i Kosovës sot është i papunësuar, pa siguri, i varfër, i pa sigurt, pa mbrojtje serioze institucionale ose çfarëdo mbrojtje tjetër.Të gjitha këto u mungojnë sot serbëve të Kosovës. Pavarësisht dëshirave të mia që në vitin 2017,të paktën një pjesë e kësaj që përmenda të ndryshoj, nuk jam i sigurt se do të ndodhë”, tha Miletiq.

Zëvendëskryeministri Stojanoviq thotë se ambicia kryesore politike e serbëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të tyre politik është krijimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për të cilën është arritur pajtimi në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është një obligim që ka dalë nga Brukseli, por edhe një instrument që do të jetë në duart tona, të serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët dëshirojnë të mbijetojnë këtu dhe që dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, si dhe që të krijojmë disa marrëdhënie normale në të ardhmen”.

“Pavarësisht se sa ka rezistencë të madhe ndaj kësaj, Bashkësia duhet të formohet, por para së gjithash kjo duhet të bëhet në mënyrën që ajo të jetë e dobishme për të gjithë. Ne nuk e kemi as dëshirën e as qëllimin që bashkësia të jetë e drejtuar kundër kujtdo qoftë, por vetëm që të jetë e dobishme”, tha Stojanoviq.

Por, Miletiq thekson se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse nuk është vetëmdëshirë, por obligim që del nga marrëveshja e Brukselit, sipas tij, kjo marrëveshje, që ai e quan ai ndërkombëtare, nuk do të realizohet në vitin 2017.

“Kjo nuk do të realizohet. Unë e di këtë dhe këtë e dinë të gjithë ata që flasin për këtë çështje. Kjo ka shkuar aq larg. Është bërë gabimi i madh që në fillim dhe kur kjo nuk është zbatuar që në fillim, unë e di që tash, çdo herë do të vij nga Qeveria e Kosovës kundërshtimi. Një kohë ishte ‘Parku i paqes’, pengesat. Tash është muri”.

“Kur të largohet muri, do të dalë diçka tjetër ose dikush që punon në institucione paralele dhe kështu me radhë. Thjeshtë, e di që ata që janë mjeshtër të obstruksionit, e unë i njoh personalisht, nuk do të lejojnë kurrë që të formohet. Pra, nuk do të formohet fare Bashkësia e komunave serbe ose do ta sjellin deri në atë masë sa që ajo të jetë e pavlefshme dhe si e tillë nuk iu duhet serbëve”, tha Miletiq.

Ai ka shtuar se muri i ngritur në Mitrovicë të veriut, barrikadat e mëhershme në veri, përfshirë edhe të ashtuquajturin “Parku i paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër, kanë qenë gabime të mëdha të politikanëve serbë.

Sipas tij, të gjitha këto, nuk janë politikë, por lojë me politikën, për t’ia hedhë opinionit hirin syve, në mënyrë që Kosova ta marrë kodin telefonik, ndërkohë që Serbia t’i hapë tre kapitujt në bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (REL)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme