Limaj: 2017-ta viti i ndryshimeve të mëdha në politikë

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se shteti ynë nuk ka me çfarë të krenohet për vitin 2016.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se koalicioni qeverisës PDK – LDK ka dështuar në të gjitha fushat.

“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka me çfarë të krenohet me përmbylljen e këtij viti. Gjatë këtij viti kjo qeveri e ka futur Kosovën në një barrë të madhe. Do të kisha shumë dëshirë t’i rendisja ndonjë nga sukseset që kanë ndodhur gjatë 2016-s, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por nuk ka suksese të tilla”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe fushat e tjera janë më keq se më parë.

Ndërsa sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai ka thënë se drejtuesit e këtij koalicioni qeverisës me veprime aventureske, shtetit tonë, e kanë ngarkuar me obligime të pamerituara dhe të panevojshme, të cilat, sipas Limajt, do të na kushtojnë shumë në të ardhmen.

Kurse duke folur për rolin e opozitës, ai ka thënë se në këtë vit partitë opozitare, në vend se të merren me ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe fushat e tjera, janë detyruar të merren me parandalimin e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka qenë ajo për asociacionin dhe demarkacionin

“Opozita ka pasur një hapësirë shumë të ngushtë të veprimit. Opozita është ndodhur para një akti të kryer sepse në çaste të caktuara është ballafaquar me marrëveshje të fshehta dhe në kundërshtim me interesat e Kosovës. Pra, është detyruar të merret me ato marrëveshje, me qëllim që t’ia bëjë të qartë opinionit publik, se çfarë përmbajnë ato marrëveshje, gjithashtu për t’ia bërë të qartë opinionit publik, se nuk janë në interes të shtetit marrëveshjet e nënshkruara”, është shprehur Limaj.

Megjithatë, ai ka thënë se 2016-shi ka qenë i suksesshëm për Nismën për Kosovën dhe, sipas Limajt, e ardhmja e kësaj partie është e fuqishme. “Mendoj se zgjedhjet në Drenas dhe rezultatet e sondazheve tregojnë më së miri se Nisma për Kosovën është rritur më shumë se çdo parti tjetër. Sipas sondazheve të fundit, Nisma është dyfishuar dhe kjo tregon se e ardhmja e Nismës do të jetë e fuqishme dhe Nisma do të jetë një nga faktorët kryesor në skenën politike të Kosovës në vitin 2017”, ka vlerësuar ai.

Limaj ka deklaruar se në përgjithësi 2017-shi do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në politikë. Sipas tij, ky vit do të jetë i vështirë si dhe do të sjellë sfida të mëdha për Republikën e Kosovës. “Do të ballafaqohemi me probleme të mëdha. Problemi kryesor është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht çështja e pjesës veriore të Kosovës. Nëse vazhdohet me këtë koalicion qeverisës të papërgjegjshëm, Kosova po përgatitet edhe formalisht të ndahet. Kjo do të jetë sfida kryesore”, ka theksuar Limaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme