Kancelarja gjermane Angela Merkel përfundon sot vizitën e saj në Beograd, nga ku do të udhëtojë drejt Tiranës.
Sipas Tanjug, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta përcjellë atë nga aeroporti i Beogradit.
Kreu i shtetit serb i cili mirëpriti Merkelin me nderimet më të larta shtetërore pasditen e së hënës, tha në fund të fjalimit të përbashkët para mediave me Merkelin se Serbia është shtëpia e saj e dytë.
Pas konferencës së përbashkët për shtyp, Vuçiq dhe Merkel vazhduan bisedimet në darkën e punës.
Në kryeqytetin e Serbisë, Merkel u pyet se a duhet Serbia ta pranojë shtetin e Kosovës para se të anëtarësohet në BE, njofton Klan Kosova.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se jo krejt vendet anëtare të BE-së e kanë pranuar Kosovën. Problemet duhet të zgjidhen që të hapet procesi i antarësimit në Union. Por, nuk ka kuptim të flitet për fundin e një procesi derisa të mos zgjidhen problemet tjera. Unë jam për një qasje pragmatike. Kjo pyetje nuk do të zhduket”, deklaroi ajo.
Nga ana e tij, Vuçiq e tha se e di që pa e zgjidhur “problemin me Prishtinën” Beogradi nuk mund të hyjë në Union.
Pas Serbisë, kancelarja gjermane udhëton për në Shqipëri ku do të takohet me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit ku pjesë e takimit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton Klankosova.tv