Zbulohen dy laboratorë të sofistikuar të drogës

Njësiti i antidrogës në kuadër të Policisë së Kosovës pas hetimeve disaditore ka zbuluar dy laboratorë të sofistikuar për prodhimin e narkotikut, Kanabis Sativa në qytetin e Pejës. Sipas informacioneve që Policia i ka dhënë gazetës “Zëri” laboratorët kanë qenë të pajisura me sistem të ngrohjes, ftohjes, ndriçimit, ventilimit, ujitjes etj. Një person me inicialet B.H., i lindur më 1966 është arrestuar, ndërsa në shtëpinë ku u zbuluan laboratorët Policia ka konfiskuar edhe një revole. 50-vjeçari, B.H., kishte kohë qëkur kishte konsoliduar laboratorët e tij megjithëse nuk dihet ende sasia që ka arritur të plasojë në treg deri më tash.

Policia e Kosovës ndërkohë i ka konfirmuar “Zërit” se në Pejë janë zbuluar dy laboratorë të sofistikuar droge.

“Në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale e në veçanti atyre me substanca të dyshuara narkotike, Policia e Kosovës, respektivisht Njësiti antidrogë në Rajonin e Pejës pas një pune operativo-hetimore, si dhe informacioneve të pranuara nga burimet në terren me 02.08.2016 rreth orës 21:00, ka bastisur/kontrolluar shtëpinë dhe pronën e një personi të dyshuar në qytetin e Pejës. Gjatë bastisjes brenda shtëpisë janë zbuluar dy laboratorë të brendshëm të sofistikuar për prodhimin e bimës së llojit Kanabis Sativa, i pajisur edhe me sistem të nxehjes, ftohjes, ndriçimit, ventilimit, ujitjes etj.”, i ka thënë “Zërit”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka shtuar se përveç laboratorit dhe lëndës narkotike janë gjetur edhe armë. “Bastisja ka rezultuar edhe me gjetjen edhe të një revole. Në këtë rast është arrestuar personi i dyshuar me inicialet B. H., i lindur më 1966”, ka thënë Hoxha.

Gjërat e sekuestruara

Si rezultat i operacionit, Policia ka sekuestruar një numër të madh gjësendesh si dëshmi të cilat i janë gjetur në bodrum të dyshuarit B.H. 50-vjeçari nga Peja është personi i vetëm i arrestuar deri më tash nga Policia. Në të dhënat që “Zëri” ka siguruar, Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes jo më pak se 228 bimë të llojit Kanabis sativa të gjatësisë prej 5 cm deri 2 metra me të gjitha mjetet përcjellëse për kultivimin e tyre si: Një (1) komplet i plastikëve për mbjelljen e bimëve, shiringa, 2 termometra, 2 kanistër të mëdhenj për ujë të 200 litrave, 2 pompa për tërheqje të ujit, 1 pako me doreza të plastikës, 5 shishe plastike me lëng simulues për bimë me mbishkrimin ROOT Stimulator bllom ATAMI dhe Tera lives dhe tera max njëlitërshe, 1 kanistër me mbishkrimin Hesi BLOOM complex, (20 kg), ndriçim i improvizuar me neonë 7 copa, 29 saksi të plastikës të zbrazëta, Flladitëse me rryme 4 copa, Pompë për spërkatje e mbushur me pesticide të cekura si më lart, kuti plastike Rhizopon 20 gramëshe stekpoeder, Kuti plastike 300 ml cilonex, Faktur nga Holanda ku janë blerë pesticidet e cekura më lart, kabllo elektrike, Folie e shtruar në dysheme për mbajtje të ujit, Folie e ngjitur për muri për nxehtësi, Pako me folie dhe gyp i folies për ajrosje të papërdorura, Kutia e dritave me poqa rezervë të firmës filips, transformator me kabllo i rrymës, trafo për transformator të ndriçimit.

Për pesë muaj janë konfiskuar mbi 350 kg marihuanë

Nuk kanë qenë të pakta rastet në vitin 2016 kur Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të drogës. Sipas statistikave që “Zëri” ka nxjerrë në Policinë e Kosovës, vetëm brenda periudhës janar – maj 2016, sasia e drogave të konfiskuara është shumë e madhe. Policia ka konfiskuar 22 gramë të një prej llojeve më të rënda të drogës, heroinë. Ndërkohë diçka më shumë ka konfiskuar nga lloji i kokainës e cila kap sasinë prej 150 gramëve. Megjithatë, rekordin e mban marihuana. Policia e Kosovës brenda pesë muajve ka konfiskuar më shumë se 350 kilogramë marihuanë në tërë Kosovën. Në mesin e konfiskimeve bëjnë pjesë edhe mbi 150 bimë të kanabisit dhe rreth 5 mijë fara të kanabisit./zeri.info

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme