Vetëm 8 muaj pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka hequr nga lista e votuesve më shumë se 18 mijë persona.
Zëdhënsi i këtij institucioni, Valmir Elezi bën të ditur se pjesa më e madhe e tyre kanë ndërruar jetë ndërsa rreth 1 mijë prej tyre kanë ndryshuar shtetësinë.
“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesa më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”.
Rreth 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin më 17 tetor, përfaqësuesit lokalë. Ndërkohë vijon votimi me postë nga diaspora, ku janë regjistruar më shumë se 15 mijë votues.
Fushata elektorale po mbahet në kushte të rrepta kufizuese pas vendimit të qeverisë për të ashpërsuar masat për menaxhimin e pandemisë.