Disa vetura janë djegur sot në Mitrovicën e veriut gjatë operacionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Serbët kanë kundërshtuar operacionin policor, duke sulmuar policët me gurë dhe duke djegur vetura, të cilat raportohet të kenë qenë me targa RKS, transmeton Telegrafi.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte njoftuar se operacionin kundër kontrabandës janë duke e realizuar në katër lokacione, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore, ku është goditur rrjeti i kontrabandës.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se “të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”. /Telegrafi/