A po i vjen fundi lojës së dyfishtë të UMNIK në Kosovë?/ SHBA e prerë: Duhet të largohet!

Ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë  të OKB-së, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje për t’i dhënë fund misionit të UNMIK-ut, të cilin e kritikoi për qëndrimin e tij kundrejt veprimeve të institucioneve të Kosovës të cilat sipas shefit të këtij misioni ishin të njëanshme.

“Lufta kundër krimit të organizuar është e pa kompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre”, tha presidentja Osmani, duke shpjeguar se operacioni i 13 tetorit ishte i drejtuar kundër krimit dhe kontrabandës dhe se shumica e të arrestuarve ishin shqiptarë.

Po në mbledhjen e KS në OKB, nëpërmjet një fjalimi të fortë ambasadorit të SHBA-së në OKB, Jeffrey DeLaurentis, deklaroi se UNMIK-u duhet të përmbyllë misionin në Kosovë.

Kurse këtë të shtunë ambasada amerikane në Prishtinë, ka reaguar lidhur me misionin e UNMIK-ut, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në një postim në Twitter, ambasada ka shpërndarë fjalimin e ambasadorit të SHBA-së në OKB, duke i mëshuar kështu qëndrimit të prerë që UMNIK të largohet përfundimisht nga Kosova sepse më shumë ka penguar për implementimin e shtetit ligjor se sa ka ndihmuar.

“Ngjarjet e fundit përsëri demonstruan se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij, siç është përcaktuar në mandatin fillestar. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij. “, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, që citon pjesë nga fjalimi i djeshëm i ambasadorit amerikan në OKB.

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), u vendos në Kosovë për të shërbyer si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1244 në qershor të vitit 1999.

Sa u përket çështjeve të sundimit të ligjit, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të datës 12 korrik 1999 (S/1999/779) thuhet se sistemi gjyqësor ishte “rrënuar” dhe se kishte “nevojë urgjente për të ndërtuar sundim të vërtetë të ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes rindërtimit të menjëhershëm të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe shumetnik”.

UNMIK-u u ristrukturua në vitin 2008 dhe detyrat e tij ekzekutive në sundimin e ligjit u bartën tek Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me deklaratën e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit më 26 nëntor 2008 (S/PRST/2008/44).

Sot, UNMIK-u përbëhet nga stafi ndërkombëtarë dhe ai civil, duke përfshirë monitoruesit e policisë dhe të ushtrisë.

 

 

 

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme