Dardan Krivaqa, i dyshuar për vrasjen në Ferizaj të 18 vjeçares Marigona Osmani, nuk është deklaruar sot para prokurorit.
Ai e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.
Krivaqa në praninë e avokatit të tij ka thënë se nuk do të flas pa u dorëzuar provat lidhur me rastin si dhe raporti i autopsisë së 18 vjeçares së ndjerë.
I dyshuari ka vepruar njëjtë edhe në polici, në gjykatë kur i është caktuar masa e paraburgimit ashtu edhe sot para prokurorit të çështjes është mbrojtur në heshtje, në prani të avokatit të tij.
Kështu bëri të ditur Gazmend Rexhepi, i cili është avokat i familjes së Marigona Osmanit.
“Sot ka pasur deklarimin Dardan Krivaqa në orën 09:00, por është mbrojtë në heshtje. Me arsyetimin se dëshiron me pa raportin e autopsisë. Ai në praninë e avokatit të tij ka thënë se dëshiron t’i shoh provat”.
Rexhepi deklaroi se ka marrë konfirmimin nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, se raporti është pranuar nga ata nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ai deklaroi për Klankosova.tv se për shkak të ndjeshmërisë së rastit do t’i lihet prokurorisë edhe për një kohë.
Sipas tij kjo ka qenë kërkesë e prokurorisë që të mos dëmtohen hetimet.
Gjykata Themelore e Ferizajt, në shtator u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, deri më datën 21 nëntor.
Krivaqa e Sejdiu akuzohen se më 22 gusht të këtij viti kanë privuar nga jeta 18-vjeçaren Marigona Osmani, ku më pas e kishin dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt dhe ishin larguar.