Sekretari i Përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, përmes ambasadorit të Francës në Kosovë, Didier Chabert, iu është drejtuar me një letër publike demokratëve të Francës.
Sheridi në letrën e tij thotë se “Demokratët francez duhet ta dinë se Ramush Haradinaj është njëri nga udhëheqësit e rezistencës sonë kombëtare, të cilit i janë vrarë disa anëtarë të familjes gjatë ‘Barbarisë së regjimit të Millosheviqit’ siç e pati cilësuar në atë kohë Presidenti i shtetit tuaj, z.Jacques Chirac, transmeton Telegrafi.
Letrën, që për bazë ka arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, Sherifi e ka titulluar” “Provat” e Serbisë si “Provat” e Gestapos!”.
Lexojen të plotë letrën e Sherifit:
“Provat” e Serbisë si “Provat” e Gestapos!
Letër publike demokratëve të Francës,
(Përmes ambasadorit të Republikës së Francës në Kosovë, Shkëlqesisë së tij, z. Didier CHABERT)
Më 4 janar të këtij viti policia franceze arrestoi ish Kryeministrin e Kosovës dhe luftëtarin e njohur për çlirimin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Dy ditë më vonë, gjykata franceze e qytetit Colmar vendosi që Ramush Haradinajn ta mbajë në arrest deri në kohën kur Serbia t’ua dërgojë provat mbi të cilat ka mbështetur fletë-arrestin ndërkombëtarë. Tek pasi të shqyrtojë “provat” serbe gjykata franceze do të vendosë për fatin e luftëtarit të lirisë së Kosovës.
I nderuar ambasador,
Kam bindjen e plotë se të gjithë demokratëve të mirëfilltë të Francës ju kujtohet Nikolaus Barbie. Për shkak të krimeve më monstruoze që ky oficer i GESTAPOS kreu gjatë okupimit nazist të Francës historia e kujton si “KASAPI I LYON-it”. Nuk do të zgjerohem në shembuj të shumtë për t’ua rikujtuar krimet monstruoze të “KASAPIT TË LYON-it” që përmes torturave më çnjerëzore çuan drejt vdekjes mijëra pjesëtarë të rezistencës së kombit tuaj kundër pushtimit nazist. Po përmend vetëm Jean Moulin-in, njërin nga figurat më markante të rezistencës franceze. Gjatë PROCESIT TË EKSTRADIMIT të Jean Moulin-it për në Gjermani ai u mbyt mizorisht nga “Provat e GESTAPOS” dhe metodat e aplikuara nga Klaus Barbie.
Pas çlirimit nga okupimi nazist Jean Moulin-in u nderua në mënyrën më dinjitoze të mundshme duke iu siguruar vendi edhe në Pantheon, ku ndodhen varrezat e njerëzve më të mëdhenj të kombit francez. Edhe pse Nikolaus Barbie u fsheh për rreth 40 vjet, “KASAPI I LYON-it” u arrestua, u dënua për krimet kundër njerëzimit dhe përfundoi jetën prapa grilave të burgut. Fatkeqësisht, sivëllezërit serbë të “KASAPI I LYON-it” janë të pozicionuar në të gjitha funksionet më të larta shtetërore të Serbisë.
I nderuar ambasador, ju lus që si përfaqësues i Republikës së Francës në Kosovë t’ua përcillni demokratëve të vendit tuaj shqetësimet që lidhen me veprimin e institucioneve të drejtësisë në Francë.
Demokratët francez duhet ta dinë se Ramush Haradinaj është njëri nga udhëheqësit e rezistencës sonë kombëtare, të cilit i janë vrarë disa anëtarë të familjes gjatë “Barbarisë së regjimit të Millosheviqit” siç e pati cilësuar në atë kohë Presidenti i shtetit tuaj, z. Jacques Chirac. Për dallim nga Jean Moulin-i francez, Ramush Haradinaj u shpëtoi të gjitha përpjekjeve që kishte ndërmarrë shteti serb për ta eliminuar. Ai u mbijetoi plagëve të marrë gjatë luftime të shumta me okupatorin, u mbijetoi proceseve gjyqësore të organizuara mbi bazën e provave të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb (GESTAPOJA SERBE) dhe u mbijetoi disa arrestimeve që ishin bërë me kërkesën e mbeturinave të Regjimit të Millosheviqit që udhëheqin Serbinë.
I nderuar ambasador,
Populli i Kosovës trishtohen kur sheh se institucionet e drejtësisë së vendit tuaj presin “PROVAT” nga Regjimi i Beogradit për të vendosur për fatin e njeriut që për ne ka vlerën e Jean Moulin-it tuaj, që i ka shpëtuar vdekjes. Ramush Haradinaj dhe të gjithë luftëtarët tjerë të lirisë së Kosovës kanë zënë një vend të përjetshëm në panteonin e zemrave liridashëse. Madje edhe të demokratëve të Francës.
Kam bindjen e plotë se të gjithë demokratët francez duhet të trishtohen kur shohin se institucionet e vendit të tyre sjellin vendime në përputhje me dosjet e sajuara nga një regjim politik dhe nga një shërbim sekret që është krahasuar me regjimin hitlerian dhe GESTAPON Gjermane. Nuk ka paradoks më të madh se fakti që gjykata e vendit tuaj kërkon “provat” nga sivëllezërit e Nikolaus Barbie-së. Kjo sjellje e institucioneve të drejtësisë franceze është fyerja më e rëndë për të gjithë ata francezë që ndër shekuj dhanë jetën e tyre nën devizën e Republikës franceze: Liberté, Égalité, Fraternité.
Është koha që demokratët të thuan fjalën e tyre!
Bilall Sherifi
Sekretar i Përgjithshëm i Nisma për Kosovën