Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur se në orën 07.00 janë hapur të gjitha vendvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Zëdhënësja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) Ljupka Guguçevska tha se të dhënat e para nga qendrat e votimit tregojnë për votimi po zhvillohet normalisht, me disa probleme të vogla teknike, por jo sikur ato në raundin e parë, që kishin të bëjnë kryesisht me probleme me votimin biometrik
“Ka disa qendra votimi ku ka probleme të vogla teknike, por ato po kapërcehen. Votimi ka nisur me sukses në shumicën e qendrave të votimit. Shumica e problemeve janë me pajisjet e gjurmëve të gishtërinjve. Nga ajo që kemi deri më tani si informacion, në disa vendvotimet aparatet biometrike nuk kanë mundur të aktivizohen, por ekipet e specialistëve po ndihmojnë në kapërcimin e problemeve”, ka thënë Guguçevska.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën (31 tetor) u janë drejtuar qendrave të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.
Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.
Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.
Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim./REL