Është viti i parë që serbët e Kosovës festojnë Krishtlindjet ortodokse pa praninë e liderëve serbë, të cilët shpesh lejet e institucioneve të Kosovës për të marrë pjesë në ceremoni fetare, i keqpërdorën me retorikën e tyre nacionaliste.
Janë dy liderë serbë, të cilët për këtë vit paralajmëruan se do ta vizitojnë Kosovën për Krishtlindje, por që nuk erdhën, raporton KTV.
Ishte fillimisht presidenti serb, Tomislav Nikoliq, të cilit qeveria e Kosovës ia refuzoi kërkesën për të qëndruar në Shtërpcë.
Për këto krishtlindje vizitë kishte paralajmëruar edhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiq.
Ai më 26 dhjetor të 2016, pas një takimi që pati me Listën Serbe, tha se do të qëndrojë në Kosovë, por që më nuk e përmendi këtë vizitë.
KTV ka kërkuar përgjigje nga zyra e kryeministrit të Serbisë se çfarë ndodhi me vizitën e paralajmëruar të Vuçiqit në Kosovë, por kjo zyrë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Përgjigje nuk kanë dhënë as udhëheqësit e Listës Serbe, të cilët gjithashtu kishin konfirmuar vizitën e Vucicit në Kosovë.
Serbët e Kosovës fajësojnë institucionet e vendit se ishin pengesa kryesore që liderët e tyre nuk ua lejuan të hyjnë në Kosovë.
“Kemi pritur që të vijnë, por nuk i kanë lejuar. Jemi të befasuar pasi që konsiderojmë se qeveria në Prishtinë do të duhej t’i lejonte të hynin në Kosovë. Nuk besoj se duhet të mbajmë inate, ajo që ka qenë dikur ka qenë, tash duhet të ecim përpara, të bashkëpunojnë mes vete, pasi kjo është për të mirën e të gjithëve”, thotë një qytetar serb.
“Askush prej tyre nuk ka mundur të vijë për këtë festë dhe këtë ju e dini pse. Ne këtu jemi si të përjashtuar nga Serbia, të tjerët komandojnë çka të bëjmë ne”, deklaron një tjetër.
“Kjo është kohë e pa kohë, është rëndë të jetohet. Unë mendoj se nuk kanë dashur t’i lejojnë të hyjnë që të mos shohin se si jetojmë ne këtu”, thotë një tjetër.
Krishtlindjet ortodokse, ku shpesh liderët serbë përçuan mesazhe nacionaliste, si ajo se Kosova është djepi i Serbisë, dy vite më parë i kushtuan me pozitë një ministri.
Ish –ministri, Aleksandër Jabllanoviq, për shkak të ofendimit të nënave gjakovare, u shkarkua nga detyra.