Një person që dyshohet se ka qenë i pastrehë dhe me aftësi të kufizuara mendore ka gjetur vdekjen si pasojë e acarit, përkatësisht hipertermisë në afërsi të fshatit Landovicë të Prizrenit.
Rasti sipas Policisë së Kosovës është evidentuar të hënën rreth orës 3 të mëngjesit. “Në rrethana të panjohura është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K-shqiptar, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas informatave, për të ekziston dyshimi i bazuar se ka qenë person i pastrehë dhe me aftësi të kufizuara mendore. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nuk raportohet për të dyshuar”, shkruan në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka bërë të ditur se një patrullë e policisë të hënën në mëngjes ka hasur trupin e pajetë të personit me inicialet A.O. afër një pompe karburantesh, në fshatin Landovicë. “Policia ka njoftuar ekipin e emergjencës që ka dalë në vendin e ngjarjes dhe trupi i pajetë është dërguar në spital pa shenje jete. Dyshohet se ai ka vdekur nga hipertermia”, ka thënë Berisha, duke shtuar se sipas informatave që kanë marrë zyrtarët policorë dyshohet se bëhet fjalë për një person me aftësi të kufizuara mendore që ka qenë pa strehë.