“Me apo pa rezolutë, Haradinaj do lirohet”

Nesër në Francë do mbahet seanca dëgjimore për rastin Haradinaj, ku edhe do të vendoset nëse do lirohet apo jo.

Në lidhje me lirimin e tij tashmë pushteti dhe anëtarët e AAK-së, kanë deklaruar se kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme dhe se besojnë thellë në lirimin e tij gjatë ditës së nesërme.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës nuk ishte në gjendje që gjatë seancës së jashtëzakonshme për Haradinajn të nxjerrin një rezolutë për lirimin e tij.

Opozita për këtë fajëson pushtetin duke e quajtur veprimin e tyre të turpshëm. Ata thonë se me këtë Qeveria e Kosovës ka treguar se është e varur nga Serbia.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se ky është një turp për deputetët e pozitës, të cilët nuk ishin në gjendje të votojnë një rezolutë e cila është një obligim i Kuvendit.

Duke treguar arsyen pse ata nuk dëshiruan që ta votojnë rezolutën e propozuar nga pushteti, Kadrijaj shprehet e sigurt se me apo pa këtë rezolutë Haradinaj do të lirohet.

“Ne e patëm rezolutën tonë dhe çfarë kuptimi kishte të votojmë një rezolutë me dy tri pika të pushtetit që nuk qon peshë. Serbia po vazhdon të përzihet në të gjitha çështjet brenda Kosovës, ajo ende po operon në Kosovë përmes listës serbe, që janë të vendosura në gjithë pse ne të mos kërkojmë reciprocitet. Por, me apo pa rezolutë të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj do të lirohet”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se me këtë është treguar se Qeveria është e jep Haradinajn kur bëhet fjala për dialogun me Serbinë, siç do e jap edhe Kosovën në fund.

“Mos miratimi i rezolutës pas seancës parlamentare si pasoje e arrestimit të Haradinajt tregon edhe njëherë se Qeveria e Kosovës ka varësi totale ndaj bisedimeve me Serbinë dhe nuk guxon t’i thotë JO bisedimeve me Serbinë edhe kur ajo arrin deri në këtë shkallë kundër Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca e koalicionit PDK-LDK e jep edhe Haradinajn kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë, ashti siç është në gjendje ta jap edhe Kosovën në fund”, ka thënë Selimi për Indeksonline.

Ai shpreson se Haradinaj do lirohet nesër, sepse, sipas tij, e kundërta nuk do t’i shërbente as Francës e as drejtësisë se saj.

Në fakt kjo rezolutë më shumë ishte si një akt moral, mirëpo me mos miratimin e kësaj, tregohet pafuqia politike të Kosovës kur është në pyetje marrja e vendimeve për çështje të rëndësishme.

Kështu tha për Indeksonline njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke shtuar se ky është një sinjal i keq për vendin dhe qytetarët.

“Çështja e rezolutës ishte me tepër shprehje e një vullneti politik në përkrahje të Haradinajt, sesa që do të ndikonte shumë në lirimin e tij. Janë institucionet qeveritare ato që duhet të punojnë seriozisht, që Haradinaj të jetë i lirë sa më shpejt. Por, mosmiratimi i djeshëm i rezolutës tregon pafuqinë politike të Kosovës kur është në pyetje marrja e vendimeve për çështje të rëndësishme. Ky është një sinjal i keq për vendin dhe qytetarët”, tha Mushkolaj.

Në seancën e jashtëzakonshme për Ramush Haradinajn gjatë ditës së djeshme, janë paraqitur dy rezoluta, njëra nga AAK dhe tjetra nga partitë e pushtetit PDK dhe LDK.

Mirëpo, asnjëra nga dy rezolutat e paraqitura në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar. Kjo për faktin se gjatë votimit për rezolutën e AAK-së në votim nuk morën pjesë deputetët e koalicionit qeveritar. Ndërsa, rezoluta e propozuar nga partitë në pushtet PDK dhe LDK nuk mori votat e mjaftueshme. Kësisoj, debati maratonik në Kuvendin e Kosovës, shkoi huq.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme