Shqiptarja Marjola Rapaj e gjeti të birin Matias në agoni, në krevatin e mbuluar i gjithi nga gjaku.
Vogëlushi 10-vjeçar u vra me thikë në fyt më 16 nëntor, nën hetim për vrasje me dashje është i ati, Mirko Tomkow, i cili kishte kërcënuar gjithmonë nënën e djalit, por kurrë fëmijën. Gruaja sa nuk u çmend!
U shtrua në spital në gjendje shoku. ‘Nuk do të vë këmbë kurrë më në atë shtëpi, nuk dua të hyj atje’, thotë në një intervistë me Il Messaggero.
Marjola është nën kujdesin e mjekëve e psikologëve. Është kthyer në Vetralla, në shtëpinë e motrës e kunatit. Arrin të falënderojë ata që i kanë shfaqur solidaritet, por më tej nuk mundet.
‘Në këto momente dhimbjeje të madhe nuk jam në gjendje të shpjegoj atë që përjetoj. Dhimbja është shkatërruese’, thotë. ‘Nuk do të vë këmbë kurrë më në atë shtëpi, nuk dua të hyj atje. Nuk arrij ta imagjinoj se çfarë mund të ketë ndodhur atje brenda atë ditë të tmerrshme’.
Shtëpia, në rrugën Luzi, ishte blerë prej pak kohësh pas marrjes së një kredie në bankë.
Që nga shtatori, Tomkow e kishte të ndaluar të shihte gruan dhe djalin, si pasojë e një kufizimi të kërkuar nga prokuroria e Viterbos, pas hetimeve të karabinierëve për keqtrajtim e kërcënime në adresë të gruas, e cila nuk deshi ta denonconte. Gruaja tani qëndron me motrën, Marcela, dhe burrin e saj, Ubaldo, i cili të dielën pas vrasjes shkoi në spital me një thikë dhe kërkonte Mirkon. ‘Ishte marrëzi nga ana ime’, tha më pas, duke shpjeguar gjestin e diktuar më tepër nga dëshpërimi se sa nga dëshira për hakmarrje.
© SYRI.net