Përgatiti: Evi Shkopi
“ 40% e grave në Maqedoninë e Veriut kanë përjetuar dhunë fizikë ose seksuale nga partneri ose jo partner i tyre, ende pa mbushur 15 vjeç. Rreth 44% e grave thonë se kanë përjetuar dhunë psikologjikë nga partneri i tyre. Rreth 30% kanë qenë pre e ngacmimit seksual. Përndjekja është një tjetër problem në vend.”- deklaroi Clemens Koja- ambassador i OSBE-së në Shkup.
Elizabeta Georgievska, bashkëshortja e presidentit, tha se është tejet e rëndësishme që çdo grua pre e dhunës duhet të gjeje guxim të paraqesë tmerrin që kalon.
“Më e rëndësishmja është që gratë dhe vajzat të jenë të informuara për të drejtat e tyre dhe të dinë ta dallojnë dhunën në baza gjinore.Së dyti, ato që janë pre e dhunës, të marrin guxim dhe ta paraqesin atë. Në vendin tonë është dëshpëruese që vetëm 2% e grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë nga partneri I tyre, e kanë paraqitur të njëjtën”- pohoi Elizabeta Georgievska- bashkëshortja e presidentit.
Duhet të mënjanohen edhe rrethanat që sjellin deri në dhunën në familje, boshllëqet mes dy gjinive në tregun e punës, stereotipat në baza gjinore, të balancohet barazia gjinore në vendimmarrje.
“Ka mungesë të kuadrit adekuat në qendrat për strehim dhe mungojnë ekspertët në forcat e rendit për të adresuar situatat që përfshijnë dhunën në familje. Pandemia vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen. Vjet është regjistruar rritje e dhunës në familje në vend.”- tha David Gir- ambassador I BE-së.
Në kuadër të kësaj fushate u bë promovimi i himnit për t’I dhënë fund dhunës ndaj grave. Fushata ndërkombëtare nis më 25 nëntor dhe përfundon më 10 dhjetor.