130 persona kanë nisur të lënë sot qelinë e burgut të Peqinit, ndërsa mes tyre bie në sy edhe emri i prokurorit që njihet si njeriu që hetoi dosjen e “shekullit”, atë të vrasjes se deputetit të PD-së, Azem Hajdari, Haxhi Giu.
“BalkanWeb” bën me dije se Ish-Prokurori i Krijës, Haxhi Giu që i kishin mbetur edhe 9 muaj e 17 ditë burg ka përfitur sot nga amnistia duke lënë qelinë e burgut të Peqinint që në mëngjes.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi prokurorin për akuzën e korrupsionit pasiv me 2 vite e 4 muaj burg, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.
Akuza e korrupsionit pasiv lidhet me rastin e shtetasit Paulin Shporin nga Shkodra, të cilit Giu në këmbim të një shume të majme parash, plot 29 mijë euro, tentoi t’i zbusë akuzën nga “trafik narkotikësh”, në “moskallëzim krimi”.
Ish-prokurori Haxhi Giu u arrestua më 2 dhjetor 2015, rreth orës 15:13, teksa udhëtonte në makinën e tij nga efektivët e Policisë së Tiranës “Shqiponja”. Në cilësinë e provës materiale policia i sekuestroi ish-prokurorit shumën prej 28 mijë e 800 eurosh; gjithashtu si prova u sekuestruan DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange), ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori.