Amnistia hapi sot dyert e burgjeve për 731 të dënuar që përmbushin kushtet për të fituar lirinë, ndërsa mes tyre ka edhe emra të njohur të botës së krimit.
Gazetari Fatmir Popja bën me dije se nga burgu i Sigurisë së Lartë të Peqinit kanë dalë edhe 5 dënuar për vrasje, emra jo të panjohur të botës së krimit.
Ata janë Mariglen Hoxhallari, Vladimir Shukle, Bledar Spahiu, Gentian Gërdhuqi dhe Gersi Sallufi, të gjithë të akuzuar për vrasje, që lidhen me hakmarrjen e konfliktet banale mes autorëve e viktimave të tyre.
Mariglen Hoxhallari ka vrarë në 15 maj të 208 kushëririn e parë , baba të 7 fëmijëve Genci Mejdani. Pas një sherri në një darkë familjare, Marigleni me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë në rrugë dhe e kanë masakruar me thikë.
Ndërsa Gersi Sallufi nga Peqini ka vrarë armë me arme zjarri babain e 3 fëmijëve, Durim Sinani në rrugën nacionale Peqin-Elbasan pas një sherri për parakalimin në rrugë.
I liruari tjetër Gentian Gërdhuqi nga Vlora është akuzuar për vrasje në 2007, për hakmarrje ndaj fisit Kerri të cilët në vitin 1999-të i kishin vrarë 3 pjesëtarë të fisit Gerdhuqi, miq të Zani Caushit.
Kush janë të dënuarit që përfitojnë nga amnista?
Personat që përfitojnë nga amnistia janë të dënuarit me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Janë ata persona të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
Përfituese do të jenë edhe femrat që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, ndërsa meshkujt e dënuar që do të përfitojnë nga amnistia janë ata të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Gjithashtu, personat që do të amnistohen do të jenë edhe ata persona të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale të rënda si, “Vrasja me dashje”, “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ku futen pikat: a) ndaj të miturit;
b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura; c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarëve të tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura.
Gjithashtu, “Vrasje e foshnjës”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë, me kërcënim ose me përdorimin e armës”, “Vjedhje”, “Organizata terroriste”, “Organizata kriminale” etj. Ndërkaq, amnisti do të ketë edhe për të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme./News24/