Gazetar: Fatlume Dervishi
– Advertisements –
Mospërmbushja e disa prej premtimeve me të cilat Zaev erdhi në pushtet, sipas analistit Petar Arsovski, ishte një ndër arsyet që solli largimin e tij. Megjithatë, ndikim patën edhe çështje të tjera, shkruan Alsat.
“Mendoj se ndoshta mbi rezultatet në zgjedhjet lokale ndikuan këto premtime për të cilat flisni dhe të cilat nuk u përmbushën, që kishin lidhje me shtetin e së drejtës dhe të tjera. Dorëheqja e Zaevit është reagim emotiv por edhe se ai refuzon të jetë edhe më tej viktimë e Bashkimit Evropian i cili disa herë radhazi premton fillimin e negociatave dhe nuk e realizon atë”, deklaroi Petar Arsovski, analist.
Arsovski thotë se dorëheqja si akt moral, duhet të ndiqet edhe nga politikanë të tjerë.
“Edhe pse për ne është e këndshme ndjenja se u ndërmor një përgjegjësi politike dhe kjo është precedent në Ballkan, ta shohim nëse këtë do ta ndjekin edhe politikanë të tjerë në Ballkan dhe në Maqedoni, por unë sinqerisht nuk e besoj këtë”, u shpreh Petar Arsovski, analist.
Pas katër vjet e gjysmë në krye të ekzekutivit, Zoran Zaev nuk është më kryeministër. Qeveria Zaev 1 kishte marrë mandatin në 31 maj 2017, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të 2016 dhe një procesi të gjatë të seancës konstituive të Kuvendit e cila kulmoi me ngjarjet e 27 prillit.
Pak kohë pas marrjes së funksionit, në gusht të 2017, Qeveria e Zaevit bëri Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë kurse në qershor të 2018 edhe Marrëveshjen e Prespës. Kjo e fundit i dha fund kontestit disavjeçar mes Shkupit dhe Athinës dhe u hap rruga e anëtarësimit në NATO. Vendi u bë anëtare e plotë e Aleancës Veri-Atlantike por nuk arriti të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në, si pasojë e kontestit të pambyllur me Bullgarinë.
Arritje gjatë mandatit të tij, pushteti aktual e konsideroi edhe miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, megjithëse zbatimi i plotë i tij ka mbetur pezull. Para ardhjes në kushtet Zaev kishte premtuar hetim ndërkombëtar dhe zbardhje të plotë për rastet e montuara dhe disa raste të tjera gjyqësore, gjë që nuk ndodhi, rizgjedhje të prokurorëve dhe gjykatësve dhe drejtësi joselektive por as kjo nuk ndodhi. Ai kishte premtuar reduktimin e institucioneve dhe organeve të administratës shtetërore dhe uljen e numrit të resorëve dhe ministrave, as kjo nuk u realizua.
Tashmë ish kryeministri prej disa ditësh nuk është as në krye të LSDM-së, lideri i të cilës ishte që nga viti 2013. Zaev ka qenë deputet nga viti 2003 deri në vitin 2005 dhe kryetar i Komunës së Strumicës për tre mandate nga viti 2005 deri në vitin 2016./Alsat.mk