Irani nuk do ta rinegociojë marrëveshjen e vet bërthamore me fuqitë botërore edhe nëse përballet me sanksione të reja nga SHBA-ja pasi Donald Trump të jetë betuar si president, ka thënë sot zëvendës ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi.
Trump, i cili do ta marrë detyrën e presidentit këtë të premte, ka kërcënuar se ose do ta prishë marrëveshjen bërthamore me Iranin, e cila ia kufizon kësaj të fundit programin bërthamor dhe i heq sanksionet kundër saj, ose do të kërkojë të arrijë një marrëveshje më të mirë, transmeton Express.
Por, Araqchi, i cili ishte negociatori kryesor i Iranit në bisedimet që çuan në arritjen e marrëveshjes në vitin 2015, ka thënë se marrëveshja s’do të rinegociohet.
“Nuk do të ketë negociata të tjera dhe marrëveshja nuk do të rihapet,” ka thënë Araqchi.
Sipas tij, Administrata e re amerikane nuk do të jetë në gjendje ta braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin.
“Ne dhe shumë analistë besojnë se marrëveshja është e konsoliduar. Administrata e re amerikane nuk do të jetë në gjendje ta braktisë këtë marrëveshje,” ka shtuar ai.