Rrena i ka këmbët e shkurta, e hekurudhat e Serbise kilometrat e gjata!

Autor: Xhevdet Pozhari 

Sot, kur Serbia e ktheu mbrapshtë trenin provokues të nisur drejt Kosovës, shumëkush u përpoq ta paraqiste veten hero, në veçanti ata që për vite kishin administruar mbrapshtë thuajse çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën dhe që e dinin se populli do paguaj çmim të lartë për mëkatet që rëndojnë mbi supet e tyre. Dhe kështu ishin sërish forcat speciale ROSU ato që do ta paguanin çmimin e politik bërjes së gabuar, të gatshëm që t’i kundërvihen çdolloj provokimi që vinte nga Serbia. Por, në fakt e vërteta është më e dhimbshme se kaq. Dhe ajo e vërtet fshihet edhe pas takimeve disa orëshe të kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, i cili duhet të jetë informuar se ligjërisht, përpos mbishkrimeve nacionaliste të trenit, nuk ka ndodhur asgjë më shumë se sa që ndodh tash e sa vite në pikën kufitare në Jarinjë. Në atë pikë ku trenat nga Serbia hyjnë dhe dalin, ndërsa autoritetet doganore dhe inspektorati nuk janë të afta t’i ndalin ato që nuk kanë leje qarkullimi. Pavarësisht, se kjo e drejtë iu jepet me ligjin.

Si do që të jetë, duhet thënë se prapa hartave të hekurudhave të Kosovës. fshihet edhe politikbërja e përçudnuar në Kosovë, deklarimet e papërgjegjshme të autoriteteve vendore të Hekurudhave të Kosovës se ata i kanë ngritur këto shqetësime në takimet me palën serbe në prezencë të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, kur në fakt nuk ekziston asnjë raportim i vetëm, zyrtar ose jo zyrtar, se është bërë një kërkesë e tillë. Pra nuk ekzistoj asnjë e dhënë zyrtare se në çfarë niveli e kanë ngritur një çështje të tillë, çfarë është diskutuar, cilat kanë qenë konkludat dhe  nuk mund të gjesh asnjë fakt relevant që do t’i mbështeste deklarimet e drejtorit të Infrakos Agron Thaçi.

Dihet se ekzistojnë grupe punuese të hekurudhave në SEETO, të kryesuara nga përfaqësues të KE – së, por nuk është raportuar kurrë se është ngritur një çështje për hekurudhat në takimet e grupeve punuese në SEETO – South East Europe Transport Observatory (Observatori për Transport i Evropës Juglindore, organizatë rajonale transporti e themeluar me Memorandumin e Mirëkuptimit për zhvillimin e Rrjetit Rajonal të Transportit (MM) nënshkruar më 11 qershor 2004 nga qeveria e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, ish- Republikën Jugosllave e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Komisioni Evropian..

Se hekurudhat e Serbisë i kanë kilometrat e gjata, kundërligjshëm, e rrenat e udhëheqësve shtetëror këmbët e shkurta dëshmon edhe përfolja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë, për ndërtimin e hekurudhës Durrës –  Nish. Dokumenti thuajse është i konservuar dhe fare nuk është transparent, përpos deklarimeve të zbrazta dhe sipërfaqësore të përfaqësuesve shtetëror, të cilat nuk e sqarojnë se pse midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk ekziston një marrëveshje e tillë? Njerëz të afërt me këro zhvillime, pohojnë se gjendja është edhe më e rënduar. Pretendohet se Shqipëria dhe Serbia kanë nënshkuar Marrëveshje bashkepunimi për zbatimin e agjendës së Berlinit, Rama – Vuçiç për ndërtimin e hekurudhës Nish – Prishtinë – Prizren – Durrës, pa e permendur askund Kosoven, ndërsa si zbatues të kësaj marrëveshje figurojnë dy Ndërmarrjet Publike të Hekurudhave, ajo e Serbisë dhe e Shqipërisë!

Mirëpo, edhe këto pretendime janë vështrië të besueshme ngaqë marrëveshje të tilla nuk kanë mbulesë dhe përkrahje nga SEETO, rrjedhimisht nga Komisioni Evropian.  Në asnjë hartë apo dokument valid nuk ekziston një linjë e tillë, e as në hartat e aprovuara nga Takimi i Rigasë. Është mirë që publikut t’i prezantohen hartat e rrjetit hekurdhor, gjë që me lehtësi do të konfirmonte saktësinë apo pasaktësinë e këtyre pretendimeve. Ajo që dihet publikisht është çështja e hekurudhës Prizren – Shqipëri, e cila zyrtarisht është refuzuar si rezultat i kostos së lartë me arsyetimin se nuk paraqet një linjë fizibile ngaqë mungonte edhe projekti i fizibilitetit, por në fakt e vërteta qëndron në atë se kjo linjë nuk figuron në hartat e SEETO-s dhe si e tillë nuk mund të mbështetet dhe një gjë e tillë mund të vjen në shprehje vetëm kur Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë studimet e fizibilitetit dhe pasi që të jenë shqyrtuar nga SEETO dhe të jenë aprovuar nga Komisioni Evropian. Për më teper, nuk mund të anashkalohet fakti se nga Prizreni e deri në kufi, mungojnë 17 km hekurudhë! Ndërsa në hartën e SEETO ku figuron Rrjeti kryesor dhe gjithpërfshirës hekurudhor i Ballkanit Perëndimor, nuk figuron asnjë linjë hekurudhore Nish – Durrës, pos asaj Nish – Prishtinë! Të gjitha institucionet si WBIF (Western Ballkan Investment Framework) dhe donatorët potencial mbështetës si KE, EBRD, Banka gjermane KfW pikë reference i kanë këto harta.

Megjithatë, të kthehemi tek ligjshmëria e “çështjes së trenit”. Sipas ligjit në fuqi (LIGJI NR. 04/L-063 PËR HEKURUDHAT E KOSOVËS) garantohet treg i hapur, mjafton pajisja me liçencë nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave. Në rrethana të tilla, thjeshtësohet edhe veprimi i mekanizmave shtetëror; mund të ndalohet secili operator që nuk është i pajisur me leje dhe certifikata të sigurisë. Pra, nëse ligji do të zbatohej nuk do të kishte nevojë as për reagim qeveritar, e as për një propagandë të llojit që u zhvillua. Por, dikuj i duhej marketingu politik për konsum të brendshëm!

Sot, kur euforia ka kapluar shqiptarët, të clët me të drejtë kthimin mbrapsht të trenit e konsiderojnë si triumf të institucioneve, megjithatë, fare pak ose aspak nuk flitet se përkundër dialogimit ndërshtetëror, Serbia vazhdon t’ia jep të drejtën që s’do të duhej ta kishte në asnjë rrethanë sipas ligjeve në fuqi. E ata që dështuan për vite me radhë në zbatimin e ligjshmërisë, sot dalin e krekosen si heronj. Ndërkohë që e gjithë kjo situatë është vetëmse rezultat i pafuqisë së atyre që sot përpiqen që dështimet e djeshme t’i kurorëzojnë si suksese dhe heroizma të së sotshmes. Dhe kjo nuk është hera e parë, sidomos kur dihet se makineria propaganduese është në përmasa alarmante dhe është thuajse e bënë të padukshme të vërtetën nga gënjeshtrat. Me rëndësi treni u kthye mbrapsht, por askush nuk garanton se i njejti tren nuk do të provojë sërish të drejtën për t’u futur në Kosovë. Njësoj siç nuk e thotë  askush hapur se aleati i vërtet i provokimeve të tilla të Serbisë, fshihet aty diku, në heshtjen e djeshme të pushtetarëve tanë!

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme