VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga kërkesa për seancë për pyetje deputetësh në të cilën do të mund të parashtrojnë pyetjet e tyre për qeverinë në dorëheqje të Zaevit, shkruan Alsat.
Ata kanë dorëzuar nismë në Kuvend. Sipas tyre, funksionarët e emëruar nuk mund t’i ikin llogaridhënies edhe pse anëtarët e ekzekutivit janë para largimit.
Seancë për pyetje deputetësh nuk është mbajtur që në fund të muajit korrik ndërkohë që rregullorja parashikon një të tillë në fund të secilit muaji.
“Duam ta theksojmë për opinionin se në seancën për pyetjet e deputetëve nuk përgjigjen vetëm ministrat dhe kryeministri por të gjithë funksionarët e emëruar. Me anulimin e seancës për pyetjet e deputetëve na mohohet të bëjmë pyetje madje edhe për funksionarët e emëruar të cilët mbeten në funksionet e tyre edhe përskaj dorëheqjes së Qeverisë. Sot në Kuvend kemi të pranishëm zv/ministra të cilët edhe pse janë në dorëheqje janë të pranishëm në seancë si bartës të propozim-ligjeve. Këto janë standarde të dyfishta me qëllim që të mbrohet Zoran Zaevi dhe ministrat që të mos japin përgjigje për numrin e lartë të skandaleve, aferave dhe politikave të dëmshme”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së./ Alsat.mk