Gazetar: Fatlume Dervishi
– Advertisements –
“Në përputhje me nenin 84, paragrafi 1, alineja e parë nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njoftimit me propozimin për mandatar të dërguar nga LSDM-ja dhe të mbështetur nga partitë politike që bashkë e kanë shumicën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mandatar për formimin e Qeverisë e caktoj Dimitar Kovaçevskin, kryetar të LSDM-së”, tha Stevo Pendarovski, President.
Kreu i ri i LSDM-së Kovaçevski, pas marrjes së mandatit nga Presidenti deklaroi se që sot fillon me formimin e kabinetit të ri qeveritar. Ai ka në dispozicion 20 ditë për të përzgjedhur ministrat e kabinetit të tij, por është paralajmëruar që kjo do të ndodhë më shpejt. Fokusi i Qeverisë së re do të jetë në gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe mbështetjen financiare për familjet.
“Qeveria e re do të ketë qëllim të qartë; të ofrojë siguri, jetë më të mirë dhe të ardhme më të ndritur për qytetarët tanë. Për këtë nevojitet qeverisje efikase, e ndershme dhe e përgjegjshme dhe ky do të jetë imazhi i ekipit të cilin unë si mandatar do ta formoj. Angazhimi im personal është që ta kthej besimin e qytetarëve në politikat dhe në institucionet. Duhet të gjithë të angazhohemi për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe shoqëri të drejtë nëse duam të na besojnë ata të cilëve u shërbejmë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, mandatar për formimin e Qeverisë.
Propozimi me emrat e kabinetit të ri qeveritar pritet të arrijë në Kuvend më 10 ose 11 janar dhe debati për të të zhvillohet në fundjavën e 15 dhe 16 janarit. /Alsat.mk