Rryma shtrenjtohet për 9.48%. Komisioni Rregullator i Energjetikës konfirmoi informacionin që Alsat publikoi para më shumë se një muaj. Rregullatori thotë se kanë arritur të bëjnë të ketë ulje minimale të çmimit, sepse rritja reale e çmimit të energjisë elektrike është dashur të jetë 25 për qind. Gjithashtu, nga viti i ri hiqet tarifa e lirë ditore nga ora 14:00 deri në orën 16:00, e cila ka kursyer rreth pesë për qind në faturat e amvisërive. Në kohën e rritjes së importit të energjisë elektrike me çmim të shtrenjtë nga bursat, shpenzimet e shtetit ishin 100 mijë euro në ditë.
“Çmimi i energjisë elektrike për amvisëri rritet me 9.48 për qind. Rritja reale siç thashë do ishte shumë më e madhe, por ne arritëm të shkurtojmë shumë shpenzime. Gjithashtu, qeveria është e angazhuar të ndihmojë kompanitë shtetërore në periudhën e ardhshme”- deklaroi Marko Bislimovski Kryetar i KRRE.
Llogaritjet thonë se për një faturë prej 1000 denarësh rritja është rreth 100 denarë. Kompanitë nuk ishin të kënaqura me këtë vendim. Ata kërkuan që qytetarët të paguajnë fatura më të shtrenjta për energji elektrike. Por Rregullatori siguroi se likuiditeti i tyre nuk rrezikohet, dhe me vëmendje do e ndjekin situatën. Nga Komisioni Rregullor apelojnë deri te qytetarët që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë më racionale. Ky çmim do të vazhdojë deri në qershor të vitit të ardhshëm, dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë korrigjim të çmimit.