Gazetar: Ile Petrevski
– Advertisements –
Ngrohja qendrore nga nesër shtrenjtohet për 14%. Shkupianët në Vitin e Ri do të përballen me një goditje të re çmimesh, shkruan Alsat.
Shtrenjtim të faturave për ngrohje do të kenë jo vetëm shfrytëzuesit e Balkan Energy Group, por edhe qytetarët që janë të kyçur në termocentralet Shkup Veri dhe ELEM Energjetikë.
Vendimi nuk ishte i lehtë, thotë kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, dhe shton se ky është një çmim që nuk ka mundur të shkojë më poshtë, sepse lënda e parë bazë për prodhimin e nxehtësisë – gazi natyror aktualisht në bursa shitet pesë herë më shtrenjtë se vitin e kaluar.
“Kostoja totale e gazit natyror për muajin janar është 13.8 milionë euro. Ne me këtë vendim njohim një kosto nga rreth katër milionë euro. Kjo do të thotë se ka një diferencë prej nëntë milionë eurosh, që duhet mbuluar. Çmimi i gazit natyror, që është aktualisht dhe që BEG e ka dorëzuar në rregullator është 1480 dollarë për metër kub normal. Me këtë çmim të gazit natyror çmimi i ngrohjes do të rritej me rreth 190 për qind”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.
ELEM Energjetikë dhe Ngrohtorja Shkupi Veri, kanë blerë gaz natyror nga Makpetrol, por sipas informacioneve nga Rregullatori, kompania më e madhe në biznesin e ngrohjes qendrore Balkan Energy Group ka gaz vetëm për gjysmë muaj, për pjesën tjetër të periudhës atje nuk ka para.
Beslimovski i bëri thirrje Qeverisë, Qytetit të Shkupit dhe të tjerëve të involvuar, që të angazhohen dhe të grumbullojnë para që qytetarët e Shkupit të mos qëndrojnë në shtëpi të ftohta. Balkan Energy Group ka më shumë se 60 mijë klientë./ Alsat.mk