Gazetar: Andrea Çobanova
– Advertisements –
Kriza energjetike është temë e akuzave të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Vala e rritjes së çmimit të rrymës dhe ngrohjes është si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie, akuzojnë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, shkruan Alsat.
Sipas tyre, sistemi energjetik në vend është i shkatërruar tërësisht për shkak të interesave personale të njerëzve në pushtet.
“E rritën në mënyrë të jashtëzakonshme çmimin e rrymës për 9,5%. E hoqën tarifën e lirë ditore për amvisëritë. Kompanitë që furnizojnë energji elektrike në tregun e lirë, ku rryma është 5 deri në 6 herë më e shtrenjtë janë lënë vetëm. E shtrenjtuan ngrohjen për 14%. Është e qartë se shtetin e sundojnë klane kriminale – mafioze që përdorin institucionet shtetërore për nevojat personale dhe janë gati të shkatërrojnë gjithçka që kemi ndërtuar me dekada të tëra”, deklaroi Stevçe Antovski, anëtar i Komisionit për energjetikë VMRO-DPMNE.
Mirëpo, nga LSDM-ja pohojnë se problemet në sistemin energjetik janë për shkak të sundimit paraprak të VMRO-së. Në vend se të investonte në burime të ripërtërishme të energjisë, pushteti i atëhershëm ka shpenzuar para për monumente.
“Një kilovat energji elektrike, në vitin 2006, viti kur VMRO-DPMNE mori pushtetin ishte 2,95 denarë për kilovat orë. Në vitin 2017, kur VMRO-DPMNE doli në opozitë, çmimi për kilovat orë ishte 4,95 denarë, që është pothuajse 100 për qind rritje. Ky është rezultati i Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së në energjetikë, 100 për qind rrymë më të shtrenjtë për qytetarët dhe është hequr tarifa e lirë ditore”, thonë nga LSDM.
Ndërkohë, mandatari Dimitar Kovaçevski shprehet se në tre muajt e ardhshëm fokusi do të jetë përballje me krizën energjetike. Është përgatitur një plan dhe janë krijuar grupe të reja masash kundër krizës që do t’i ndihmonin qytetarët dhe kompanitë për ta tejkaluar më lehtë krizën./Alsat.mk