Nga dita e sotme, Forca e Sigurisë së Kosovës mund të zbarkojë kudo në botë që ka nevojë me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Dërgimin e FSK-së Jashtë Vendit.
Sipas dokumentit në fjalë, për të marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare të paqes, duhet të ketë marrëveshje me shtetin pranues, ftues apo ftesë, qoftë nga ndonjë organizatë ndërkombëtare apo shtet anëtar i ndonjë organizate ndërkombëtare të sigurisë. Gjithnjë edhe me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, njofton Klankosova.tv.
Është qeveria ajo që propozon secilin mision e kuvendi ai që vendos. Vulën finale megjithatë e jep komandanti suprem, në këtë rast presidentja.
Gjithë këto institucione ka muaj që mbështesin idenë se FSK-ja është e gatshme për çkado.
Por nuk është se FSK-ja është ende në nivelin më të mirë për t’u ndihmuar shteteve qe janë në luftë, në aspektin e kapaciteteve ushtarake.
“Me kapacitete luftarake akoma jemi herët për me marrë pjesë, për arsye se kapacitetet luftarake akoma nuk i kemi të zhvilluara sa duhet, por me oficerët shtaborë ka kapacitet të shkojë me cilindo shtet të NATO-së” , thotë Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.
Ushtria e Kosovës, sipas tij, mund të ofrojë ndihmë tejet të madhe në fusha tjera, si logjistike e medicinale.
Kurdo që kjo ngjan, gjithë aktiviteti i ushtarëve të Kosovës jashtë vendit financohet nga buxheti i Kosovës. Por këtë mund ta kryejë edhe organizata që e fton FSK-në në mision!
FSK-ja deri tashti ka marrë pjesë në vetëm një mision paqeruajtës, në Kuvajt, krah Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Por, zbarkimet tjera humanitare i ka të shumta.