Vetëm reciprociteti ekonomik gjunjëzon Serbinë

Niveli i lartë i importit prej 400 milionë eurosh në Kosovë bën që Serbia të jetë e varur nga tregu i Kosovës e, në anën tjetër, sa i përket çështjeve politike, ajo vazhdon të provokojë dhe të tregohet diskriminuese ndaj shtetit të Kosovës.

Përfaqësues të bizneseve dhe njohës të çështjeve ekonomike kanë kërkuar reciprocitet ekonomik të menjëhershëm ndaj shtetit serb.

Sipas tyre, vetëm reciprociteti ekonomik mund ta gjunjëzojë Serbinë dhe mund të ketë ndikim më të madh sesa ai politik. Ata kanë thënë se sa herë Kosova ka përdorur masa të reciprocitetit ekonomik, është përcjell me presione nga bashkësia ndërkombëtare por, pavarësisht kësaj, ekonomia ka shënuar rritje pozitive.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vetëm reciprociteti ekonomik mund ta gjunjëzojë Serbinë.

“Kosova sa herë ka marrë vendime për reciprocitet ndaj Serbisë, pothuajse ka pasur një presion të madh nga faktori ndërkombëtar dhe është gjunjëzuar para tyre por, në anën tjetër, ekonomia e vendit ka pasur rritjen më të madhe. Pikërisht në kohën kur ka filluar të zbatohet reciprociteti me Serbinë. Vetëm ekonomia e gjunjëzon Serbinë. Kosova duhet t’i përdorë masat e reciprocitetit dhe t’i bllokojë të gjitha produktet e tyre që hyjnë në Kosovë, derisa nuk krijon kushte të parapara dhe, në anën tjetër, nuk i heq të gjitha këto pengesa”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka apeluar të ketë kushte të barabarta për prodhuesit vendorë dhe mos të diskriminohen nga ata serbë. “Ne si aleancë e biznesit, po ta kishim mundësinë, do të krijonim ambient të përshtatshëm për biznesin dhe ekonominë e vendit, duke i vënë masat të njëjta që Serbia ua bënë prodhimeve tona vendore. Serbia do të gjunjëzohej nëse do t’i vinim kushte, sepse rreth 400 milionë euro e ka tregun formal në Kosovë dhe mu për këtë arsye Kosova është e rëndësishme për Serbinë e, në anën tjetër, ne e kemi informalitetin më të madh nga Serbia”, është shprehur ai. Shahini.

Po ashtu, reciprocitet ekomomik ka kërkuar edhe kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Nexhat Hasani. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se reciprociteti
ekonomik është më së i domosdoshëm, pasi Serbia importon në Kosovë 400 milionë euro karshi eksportit të Kosovës në vlerë prej 500 mijë eurosh. “Reciprociteti duhet të vendoset në të gjitha fushat, por reciprociteti ekonomik është i domosdoshëm në qoftë se dëshirojmë të jemi të barabartë me të gjithë. Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet, por edhe duhet të japë përgjegjësi për gjenocidin që ka bërë. Serbët s’mund të luajnë me ne, kur ne i importojmë nga Serbia diku 400 milionë euro mallra, ndërkaq ne nuk mund të dërgojmë atje mallra në vlerë as 500 mijë euro”, ka deklaruar Hasani.

E, Valdrin Dervishaj nga Forumi për Politika Zhvillimore (FPZH) ka thënë se reciprociteti është vetëm fillimi i një hallke vendimesh. Sipas tij, s’duhet të presim që Qeveria ta bëjë zgjidhjen e tregjeve për bizneset, por mund të jetë ndihmuese për hapjen e tregjeve të reja. “Struktura tregtare e Kosovës mund të ndryshojë në varësi nga alternativat që vendi vendos të ndjekë në pak muaj. Megjithatë, në muajin e fundit reagimet në Kosovë kanë qenë joekonomike. Qeveria, bizneset dhe qytetarët duhet ta kuptojnë se reciprociteti është vetëm fillimi i një hallke vendimesh. Nuk duhet të presim që Qeveria ta bëjë zgjidhjen e tregjeve për bizneset, por mund të jetë ndihmuese për hapjen e tregjeve të reja”, ka thënë Dervishaj. /Epoka e re

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme