Gjendja e rrugëve në tërë territorin e Kosovës është e mirë sipas Ministrisë së Infrastrukturës edhe pse disa qytetarë janë ankuar për rrugë të papastruara.
“Pas reshjeve të fundit të borës, sipas informatave të siguruara nga terreni për mirëmbajtje verore dhe dimërore, gjendja e rrugëve në gjithë vendin është e mirë. Të gjitha rrugët në vendin tonë janë të qarkullueshme për të gjitha automjetet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas kësaj ministre, kompanitë e kontraktura kanë punuar gjatë gjithë natës dhe do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme për të pastruar rrugët nga bora.
“Në viset malore ka pasë reshje të borës më shumë por rrugët janë të kalueshme, ndërsa kërkohet që të vozitet duke iu përshtatur kushteve atmosferike. Kompanitë gjatë ditës do të punojnë në përmirësimin e gjendjes së rrugëve për qarkullim sa më të sigurtë të automjeteve”, vijon njoftimi i ministrisë së Infrastrukturës.
Në fund është kërkuar kujdes i shtuar nga vozitësit në komunikacion.
Por, në mëngjesin e sotëm në rrugën Prishtinë-Gjilan, nga një video e dërguar nga një qytetar, shihet rruga e pa pastruar nga bora dhe e rrezikshme për vozitësit.