Gazetar: Mefail Ismaili
– Advertisements –
Shkëmb i rëndë prej 20 tonë qëndron pezull mbi pendën në Matkë dhe objektin e “EVN-Elektrana”, të cilët kanë kërkuan nga Qendra për menaxhim me krizat që të bëjnë hulumtim për stabilitetin e saj, shkruan Alsat.
Drejtori i Qendrës për menaxhim me krizat, Stojançe Angellov, thotë se për momentin nuk vërehen rreziqe që shkëmbi mund të bjerë. Ai shton se nga “EVN-Elektrana” e kanë njoftuar po ashtu se rënia eventuale e shkëmbit nuk e rrezikon murin e digës. Megjithatë, shton se duhet të merren masa parandaluese, pasi askush nuk mund të garantojë çfarë drejtimi dhe dëmesh mund të shkaktojë rrëshqitja eventuale e shkëmbit.
“Shkëmbi ndodhet në lartësi prej 100 metrash mbi vetë murin e pendës dhe nëse bie, do të krijonte energji të madhe kinetike. Ky shkëmb ndodhet në pozitë të këtillë për një kohë të gjatë, ndoshta dhjetë vite, por nga fotografitë e marra nga EVN mund të vërehet gjendja e saj jo qëndrueshme. Shkëmbi ndodhet në afërsi të majës dhe për rënien së saj do të ndikonin më shumë faktorë. Po ashtu mund të shkaktohen edhe rënie të gurëve nga shkëmbinjtë tjerë”, tha Stojanço Angellov, drejtor i QMK-së.
Drejtori i QMK-së, Angellov thotë se shkëmbi ndoshta nuk rrëzohet edhe 100 vite, megjithatë duhet patjetër të merren masa parandaluese. Kjo për shkak se në pjesën ku mund të rrëshqasë shkëmbi ka rrugë për alpinistët, ndërsa në atë pjesë qarkullojnë edhe anijet me vizitorë në Liqenin e Matkës. Angellov tha se QMK nuk ka mjete përkatëse për të vërtetuar gjendjen e shkëmbit. Ai tha se e kanë informuar Ministrinë e Brendshme, Institutin për inxhinieri të tërmeteve dhe inxhinieri sizmologjike, Fakultetin e ndërtimtarisë në Shkup ku ka ekspert për këtë çështje dhe të gjitha institucionet tjera relevante. /Alsat.mk