Vizita e Erdoganit në Shqipëri ka randësi strategjike

Nga Abdulvehab Ejupi

– Autori i shkrimit është studiues dhe shef i Zyrës së Ballkanit në TRT WORLD

Mediat dhe kolumnistët ndjekin me përkushtim çdo udhëtim zyrtar jashtë vendit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Kur bëhet fjalë për vizitën e tij në një nga vendet e Ballkanit, vizita bëhet temë kryesore në gjithë rajonin për javë të tëra. Kështu ka ndodhur edhe me vizitën e fundit të presidentit turk në Shqipëri më 17 janar. Presidenti Erdoğan u prit në aeroportin “Nënë Tereza” në kryeqytetin Tiranë me nderimet më të larta nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

 

– Shqipëria, një aleate e natyrshme dhe e rëndësishme në rajon

Për vendimmarrësit në Ankara si dhe shoqërinë e gjerë, Ballkani perceptohet si një shtrirje transnacionale e asaj që njerëzit në Turqi e quajnë “vatan”, një nocion i mbushur me kujtime emocionale. Bëhet fjalë për ngjashmëri kulturore dhe lidhje shumë organike. Vlerësohet se në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë dhe boshnjakë sesa në Shqipëri dhe Bosnjë. Shumica emigruan në Turqi pas themelimit të Republikës së Turqisë në vitin 1923 dhe gjatë sundimit jugosllav në vitet 50 dhe 80 për t’i shpëtuar represionit sistematik. Ky komunitet është i organizuar në shoqata të ndryshme ballkanike dhe rumeliane dhe përpiqen aktivisht të ndikojnë në politikat e Turqisë ndaj Ballkanit. Prandaj, çfarëdo që të ndodhë në Ballkan, ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Turqi. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Turqia ka ndjekur një politikë të jashtme shumëdimensionale ndaj Ballkanit. Vetë Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit, kurse pikëpamja e saj për rajonin është formësuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë të pamundurën për të promovuar marrëdhënie më të ngushta dhe miqësore me të gjitha vendet e Ballkanit, ku Shqipëria ndodhet në qendër të kësaj perspektive.

Shqipëria është vendi më i qëndrueshëm në rajonin e paqëndrueshëm; është vendi i vetëm që nuk ka mosmarrëveshje me fqinjët, është homogjen nga brenda, anëtar i plotë i NATO-s që nga viti 2013 dhe kandidat serioz për anëtarësim në BE. Ajo gjithashtu ka një vend prestigjioz në KS të OKB-së si anëtar jo i përhershëm këtë vit për herë të parë. Ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në ngjarjet në Kosovë, si shteti i dytë i pavarur shqiptar; në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët përbëjnë një të tretën e popullatës së vendit; dhe në Mali të Zi, ku qeveria varet drejtpërdrejt nga pakica shqiptare. Vendi mbështet fuqimisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe kundërshton pretendimet nacionaliste të Serbisë për të krijuar Serbinë e Madhe në kurriz të Bosnjës, Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj, tashmë është demonstruar se rritja e prosperitetit dhe stabilitetit në Shqipëri po i shërben paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.

Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi, më 6 janar 2021, ishin një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i asaj vizite u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, e cila është në agjendë prej vitesh, kurse marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e Partneriteti Strategjik. Turqia ka investuar mbi 3,5 miliardë dollarë në Shqipëri që nga periudha e demokracisë. Mbi 600 kompani turke janë të regjistruara që operojnë në Shqipëri dhe këto kompani jo vetëm kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe vende pune për rreth 15 mijë persona.

Këto shifra e bëjnë Turqinë një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Shqipëri. Kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Turqia ishte ndër vendet e para që dërgoi ndihmë emergjente dhe punonjës të ambulancës. Ishte Turqia ajo që ndërtoi 522 shtëpi në Laç për njerëzit që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe ishte Turqia ajo që jo vetëm dërgoi ndihma mjekësore gjatë pandemisë, por ndërtoi edhe një spital në Fier. “Spitali i Miqësisë Turqi-Shqipëri”, i cili u ndërtua në Shqipëri për 40 milionë euro, me 150 shtretër, gjashtë salla operacioni dhe gjashtë poliklinika, përfundoi për 68 ditë dhe u hap më prill 2021. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë është ngritur në NATO si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit. Turqia ka ofruar vazhdimisht trajnim ushtarak për personelin ushtarak shqiptar në fusha të ndryshme që lidhen me sigurinë, duke përfshirë logjistikën, modernizimin e forcave të armatosura dhe infrastrukturën e ushtrisë shqiptare. Shqipëria ka nënshkruar një kontratë edhe për blerjen e dronëve vëzhgues. Shqipëria dhe Turqia kanë zhvilluar gjithashtu shumë stërvitje të përbashkëta ushtarake.

– FETO si një çështje kyçe

Vizita e fundit e presidentit turk vërtetoi se FETO vazhdon të jete një çështje e rëndësishme mes Ankarasë dhe Tiranës. Presidenti Erdoğan i kushtoi një pjesë të rëndësishme fjalimit të tij kësaj teme në Kuvendin e Shqipërisë, duke paralajmëruar se kjo çështje do të jetë vendimtare në marrëdhëniet mes dy vendeve. Pas ngjarjeve të tentativës së mposhtur të grushtit të shtetit në korrik 2016 në Turqi, të gjitha autoritetet e larta turke që kanë vizituar Tiranën kanë insistuar vazhdimisht për të goditur strukturat e FETO-s në Shqipëri. Por, deri më tani kjo kërkesë e palës turke nuk është plotësuar nga autoritetet shqiptare.

– BE-Turqia si aktorë komplementarë në rajon

Politikëbërësit turq kanë deklaruar gjithmonë se Ankaraja mbështet anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet transatlantike. Shumë studime kanë treguar se Turqia dhe BE-ja nuk janë konkurrentë në Ballkan, por aktorë komplementarë. Ka një fushë të gjerë bashkëpunimi mes Ankarasë dhe Brukselit në lidhje me politikën e tyre në Ballkan. Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe pa diskutim konstruktiv në shërbim të paqes.

Si e fundit, por jo më pak e rëndësishme, sa herë që ndërmerren hapa të rinj nga pala shqiptaro-turke, grupe të caktuara shfaqen duke e konsideruar këtë partneritet strategjik me shumë skepticizëm. Megjithatë, tashmë është evidente se e gjithë kjo vjen nga fqinjët, veçanërisht nga grekët, të cilët politikisht dhe ekonomikisht duan një Shqipëri të dobët pa aleanca strategjike dhe balancuese. /AA/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme