Nga Kim Mehmeti
Zotërinj,
Pse e mbani veten për qeveri të Maqedonisë së Veriut, kur shumë çka tregon se nuk jeni ju ata që e drejtoni këtë vend, por sundues të vërtet të tij janë halabakët vendor partiak, të cilët kontrollojnë çdo gjë tonën. Pra, pse e quani vetveten Qeveri, kur shumëçka dëshmon se ju nuk keni pushtet as mbi vetveten, se edhe juve ju drejtojnë banditët partiak vendorë si dhe, të fuqishmit e kompanive të mëdha.
Pastaj, pse na gënjeni e thoni se Maqedonia e Veriut është shtet ligjor dhe i së drejtës, kur shumë çka tregon se ajo është pronë e partiakëve të pasur e të fuqishëm, e të cilët nuk përfillin asnjë ligj, por u është lejuar t’i gjykojnë e dënojnë të nënshtruarit e vet. Apo pse na gënjeni dhe pohoni se jemi shoqëri e organizuar, kur nuk ka asnjëfarë rendi dhe kur, mund të ndodh të shkosh në burg shëndosh e mire, por nga atje të të nxjerrin të vdekur. Apo, ku varfanjakun e burgosin pse ka vjedhur një bukë për t’i ushqyer fëmijët e vet, e hajdutin e pushtetshëm e lirojnë nga burgu ngaqë ka miliona euro për ta blerë pafajësinë dhe lirinë.
Zotërinj, pse neve banorëve të këtij vendi rrejshëm na emëroni si qytetarë të lirë, kur jemi vetëm një turmë që u nënshtrohet dhe nuk ka si të mbrohet as nga kompanitë e mëdha, si për shembull nga EVN—ja, e cila nëpërmjet përmbaruesve, t’i merr paratë që ia ke borxh, por kundër së cilës je i pafuqishëm të ndërmarrësh çka do qoftë kur paguan për drita, e ajo të shpërndan terr. Apo kur tallet me ty duke u arsyetuar se dekada me radhë nuk ka mundur ta ndreqë defektin e njëjtë dhe kur, të detyron ta braktisësh shtëpinë tënde në vendbanimin ku ka ndriçim rrugorë, por jo edhe nëpër shtëpitë e lagjes?!
Dhe në fund, pse vetë gënjeheni dhe besoni se nuk e dimë se në këtë vend thuajse çdo gjë është e rrejshme dhe jo e vërtetë, përpos grykësisë suaj për pushtet dhe pamundësisë sonë që ta marrim atë që na takon, pra përpos mos guximit tonë të dalim e t’i mbushim sheshet e qyteteve, nga do ju kumtojmë se problemi i Maqedonisë së Veriut nuk është pse atë nuk e duan vendet fqinje dhe BE-ja, por pse ju atë e bëtë vend të cilin nuk e duan banorët e tij, e bëtë shoqëri e cila është e paaftë ta mbrojë e ruajë më të vlefshmen që ka – rininë, të rinjtë që për çdo ditë i mbushin autobusët dhe e braktisin vendlindjen e tyre.
Zotërinj, ka ardhur koha kur gjërat duhet t’i emëroni me emërtimet e vërteta, sepse në të kundërtën, Maqedonia e Veriutdo bëhet vend të cilin do ketë kush ta sundojë e ta plaçkitë, por jo edhe kush të lind fëmijë dhe t’i varrosë pleqtë e mbetur në të. /sakte,net