Për shkak të deklaratave luftë-nxitëse të ditëve të fundit të politikanëve serb, me rastin e incidentit me trenin propagandues, serbët kanë nisur një peticion “Qytetarët serbë kundër luftënxitjes”, shkruan portali “021.rs”, transmeton zeri.info
Një pjesë e qytetarëve kanë vendosur t’ju bëjnë me dije politikanëve lokal, por edhe atyre të huaj, se janë të lodhur nga luftërat në Serbi.
“Çdo herë që kanë nevojë për të fshehur problemet reale të qytetarëve serb, udhëheqja shtetërore e Serbisë synon për të provokuar konflikte. Sa herë që këta frikacakë në pushtet mendojnë se janë të kërcënuar, fshihen prapa interesave kombëtare, duke shkaktuar konflikte, angazhohen në provokime, kërcënime dhe paralajmërime të luftërave. Ne të gjithë e dimë se si deklaratat e tilla kanë përfunduar gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe kush nga to më së shumti ka përfituar. Nënshkruaje peticionin dhe t’i tregojmë atyre se janë të kompromentuar”, thotë përshkrimi i peticionit.