Tre muaj më parë, vëllai i Haki Imerit, aktivistit të LDK-së në Skenderaj, kishte deklaruar në emisionin “Zona Express” se presidenti i vendit Hashim Thaçi ka gisht në vrasjen e vëllait të tij.
Madje, sipas Imerit, vëllai i tij, Hakia, ka qenë edhe kujdestar klase në shkollën ku ka vijuar mësimin presidenti i vendit.
“Kur u vra vëllai im, as nuk erdh baba i tij, as nuk erdh Hashimi, as nuk e qoj një telegram me thanë mu vra kujdestari i klasës. Kane mujt një telegram me ja qu familjes. Mas vrasjeve në Kosovë qëndron pikërisht Hashim Thaçi”, akuzonte Imeri.
Tash ai është tërhequr nga këto akuza duke thënë se Thaçi e ka bindur duke i bërë be se ai nuk di gjë për vrasjen e Haki Imerit.
“Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s’kom hak e as hile”, ka treguar Imeri për të shtuar se është bindur se presidenti i vendit nuk është përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij.
“Unë kurrë nuk kom thanë që Hashimi ma ka vra vllaun. Kom thanë që e din kush e ka vra. Sipas raportit të KFOR-it para 8 qershorit 2014, SHIK-u është organizatë kriminale, Kadri Veseli drejtor, i raportoj Hashim Thaçit edhe gjithmonë kom mendu që Hashimi duhet me ditë edhe këta e dinë. Po tash njeri me luftu me to nuk po mundet, po duhet me nda dikon, e me marr dikon”, thotë Imeri.
Por për djalin e Haki Imerit, Kastriotin, kjo marrëveshje e axhës së tij me presidentin nuk vlenë.
“Kërkoj drejtësi institucionale, jo Kanunore”, ka thënë Kastriot Imeri, në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka kërkuar nga institucionet “që më të vërtetë ta ndriqojnë vrasjen pas shpine” të prindit të tij dhe vrasjet e tjera që u bënë pas luftës në Kosovë.
“Kërkojmë drejtësi nga Institucionet Ndërkombëtare. Jo nga këto vendore, të cilat udhëhiqen nga kriminelët”, ka shkruar Imeri.
Ja postimi i plotë i tij.
Une, Kastriot Imeri, djali i Haki Imerit,
Kerkoj drejtesi Institucionale, jo Kanunore. Kerkoj nga Institucionet, qe me te vertete do ta ndriçojne vrasjen pas shpine te prindit tone, dhe vrasjeve te tjera qe u bene gjate e pas luftes ne Kosove. Kerkojme drejtesi nga Institucionet Nderkombetare. Jo nga keto vendore, te cilat udhehiqen nga kriminelet.