Gazetar: Igor Stefanovski
– Advertisements –
Pas mbylljes së hetimeve nga Prokuroria bullgare për tragjedinë me autobusin e “Besa Trans”, familjarët e viktimave mund të ngritin padi, por edhe t’i shqyrtojë dokumentet e Prokurorisë bullgare, thotë Kryeprokurori, Ljubomir Joveski në intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Ata gjithashtu kanë mundësi të paraqesin padi civile për dëmshpërblim pranë organeve kompetente të Republikës së Bullgarisë. Ne ende nuk e kemi pranuar kërkesën nga organet kompetente të Republikës së Bullgarisë, por gojarisht jam informuar se kanë dërguar kërkesë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i dëgjojnë përfaqësuesit e udhëtarëve tani të ndjerë nëse duan të kenë qasje në rastin konkret dhe nëse duan të dorëzojnë ankesë ndaj vendimit të Prokurorisë në Bullgari”, deklaroi Ljubomir Joveski, Kryeprokuror i Shtetit.
I pyetur se deri ku është Prokuroria e Maqedonisë me procedurën para-hetimore për funksionimin e “Besa Trasit”, Joveski tha se Prokuroria Publike ka hapur hetim paralel me rastin në Bullgari. Prokuroria është ende duke kontrolluar mënyrën se si ka funksionuar Besa Trans, si dhe mënyrën si është bërë servisimi i autobusit të djegur. Joveski siguron se pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu është i kapshëm për organet.
“Nga informacionet që unë kam, ai është në dispozicion të Prokurorisë dhe nga avokati i tij, poashtu edhe nga i akuzuari kanë dhënë pëlqim se dëshiron të bashkëpunojë me organet kompetente për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar deri te aksidenti tragjik”, tha Ljubomir Joveski, Kryeprokuror i Shtetit.
Autobusi Besa Trans ka kaluar kufirin gjithsej 135 herë pa lejet e duhura. Autobusi është servisuar më 5 tetor në qendrën e kontrollit teknik “VIA Komerc Xhemal”, ndonëse gushtin e kaluar, pjesëtarët e MPB-së konstatuan se qendra teknike ka punuar jashtë rregullave. Për këtë është njoftuar ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, i cili tre ditë pas tragjedisë ku humbën jetën 45 persona e nënshkroi vendimin për ndalimin e përkohshëm të punës së “VIA Comerce”. Ministri nuk është përgjigjur pse nuk e ka nënshkruar vendimin për ndalim të përkohshëm të punës tre muaj më parë, kur janë konstatuar parregullsitë./Alsat.mk