Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse (stickersave), në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.
Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese. Grupet Punuese janë takuar këtë të premte në Bruksel.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Telegrafit se deri më tani grupet punuese janë takuar katër herë.
“Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar propozime dhe janë dhënë argumentime për modele të ndryshme të zgjidhjes e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët. Javëve dhe muajve në vijim presim që të mbahet edhe takime tjera drejt një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane”, ka thënë Kryeziu.
Pas takimit të fundit të grupeve punuese në Bruksel, i ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i ka inkurajuar palët të vazhdojnë të punojnë për opsionet e mundshme me afrimin e afatit.
Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.
Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.