SITUATA/ Pasojat e reshjeve te dendura të borës dhe te ftohtit ekstrem, gjendja e akseve nacionale

Vendi ynë është përfshirë gjatë këtij muaji të parë të vitit nga temperatura tejet të ulëta, të cilat kanë sjellë reshje të shumta bore kryesisht në pjesën juglindore dhe veriore të territorit, pavarësisht se e gjithë Shqipëria ka ndjerë ndikimin e kushteve të ashpra atmosferike.


Zona e parë që u prek nga prurjet e shiut, duke u bazuar në njoftimin e parë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ishte aksi Berat-Corovode, ku gurët dhe aluvionet e rëna për shkak të erozionit ua vështirësuan qarkullimin drejtusve të mjeteve dhe udhëtarëve në përgjithësi.

Më 7 Janar, ARRSH-ja njoftoi se reshje shiu dhe dëbore u shënuan në Veri të vendit, por ato nuk shkaktuan bllokimin e qarkullimit të mjeteve.

“Reshje dëbore ka pasur, në Qarkun e Kukësit në lartësi mbi 600 m, në Qarkun e Dibrës, si në Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë Drajë, në Qarkun e Shkodrës, si në Qafë Mali-Fierzë, Vau i Dejës-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin”, tha Autoriteti Rrugor.

Tre ditë më pas, ARRSH-ja u bëri thirrje shoferëve për “kujdes gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me goma dimërore”. Të njëjtin apel, Autoriteti e përseriti në 11 Janar, ndërsa informoi se “temperatura të ulëta, pa reshje kanë përshkuar vendit dhe sipas parashikimit të motit gjatë natës do të zbresin nën 0 °C”.

Pastrimi i aksit Ura e Zapodit-Shishtavec nga bora u konsiderua i nevojshëm të nesërmen, pavarësisht se automjetet lëviznin pa zinxhirë. Dy ditë më pas, tempraturat ranë nën 0 °C, por nuk pati reshje të asnjë lloji dhe në rrugët kryesore u bë shpërndarja e kripës.

Segmenti Ura e Zapodit-Shishtavec pati reshje bore, arsye për të cilën u pastrua rruga dhe u hodh kripë, sipas ARRSH-së.

Rënia e ndjeshme e temperaturave u shënua më datë 21 Janar, kur zonat malore, si dhe akset: Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, Fushë Stude-Klenjë, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, u mbuluan nga bora.

Në të njëjtën ditë, në segmentin Qafë Mali-Fushë Dukagjin ra një sasi e konsiderueshme bore, dukuri e cila u shoqërua edhe me thirrjen për drejtuesit e mjeteve, të cilët duhej të “bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, pasi dhe temperaturat priteshin të binin deri në -17°C në zonat malore.

Gjithashtu në 21 Janar, rruga Qafë Thanë-Korçë ‘u pushtua’ nga reshje të imëta të bores, kurse segmenti rrugor Qafë Qarri-Korçë-Dardhë-Voskopojë pati reshje dëbore me intensitet mesatar, sipas Autoritetit Rrugor.

Para një javë, vendi u përfshi nga temperatura nën 0 °C, por nuk pati as reshje bore, as probleme me qarkullimin në të gjitha akset kombëtare. Bora nuk mungoi as në Llogara, por fatmirësisht qarkullimi nuk u pengua.

Ndërkohë, temperatura më e ulët u vu re në qarkun e Korçës, ku temepraturat arritën në -11 °C, dhe në aksin Korçë-Dardhë u shpërnda kripë për të parandaluar ngricën në rrugë.

Nga reshjet e borës u prek në 23 Janar Llogaraja, aksi Damës-Memaliaj dhe Hani i Hotit Tamarë. E njëjta gjë i ndodhi rrugës Ura Zapodit-Shishtavec, por aty u shoqëruar edhe me erë të forte, kurse në aksin Bogë-Theth nuk pati reshje dëbore, me përjashtim të të ftohtit ekstrem -14°C.

Temperaturat polare përfshinë edhe zonën e Tamarë-Vermoshit, ku termometri zbriti në -10°C.
Pak ditë më parë, qarkullimi u paralizua përkohësisht në segmentin Berat-Corovode, për shkak të gurëve dhe aluvioneve të shkëputura nga masivi malor buzë rrugës. Diçka e ngjashme ndodhi edhe ditën e shtunë në Tamarë, ku në orët e para të mëngjesit pati shembje të një masivi në trup të rrugës dhe kalimi kryhej vetëm nga një korsi për pak kohë.

Ditën e djeshme, nga bora nuk ‘shpëtoi’ as Shqiperia e mesme, si Rajoni Qendror, Krujë-Sarisalltik, Tiranë-Dajt, Librazhd-Steblevë, Zëmblak-Goricë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin rrugor Qafë Mollë-Bizë, pa përmendur Rajonin Jugor, Korçë-Ersekë-Leskovik, Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, ku reshjet e borës janë gjithmonë të pranishmë në stinën e dimrit.

“Në Rajonin Verior, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, Skurraj-Peshkopi, Hani i Hotit-Tamarë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në Bogë-Theth, Tamarë-Vermosh”, njoftoi ARRSH.

Sakaq, gjatë ditëve të ngricave është prekur edhe sistemi i ujësjellës-kanalizimeve në Bashkinë Kurbin, ku u dëmtua një numër i konsideruëshëm ujëmatësash. E njejta problematikë është përjetuar edhe në Bashkinë e Cërrikut, ndërsa rrethet e tjera kanë patur furnizim të pandërprerë me ujë, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme