Molliqaj: Procesi ndaj aktivistëve të LVV-së, i pabazë

Sekretari Organizativ i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, e ka quajtur të pabazë procesin ndaj aktivistëve të këtij subjekti politik, që akuzohen për “sulm terrorist” ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Këtë qëndrim Molliqaj e ka dhënë në një konferencë për medie, me ç’rast ka thënë se i tërë ky proces bazohet në 2 dëshmitarë të cilët, sipas tij, janë shitës ambulantë e që nuk i paguajnë taksa shtetit dhe të njëjtit në vende tjera nuk do të konsideroheshin si dëshmitarë kredibilë.

“I tërë procesi ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” është i bazuar në dy dëshmitarë, ata pretendojnë që kanë dëshmitë e tyre, të cilët janë shitës ambulantivë që u ikin taksave e të cilët në shtete tjera s’do të mund të merreshin si kredibilë”, është shprehur Molliqaj.

Më tej ai ka thënë se një ditë pas sulmit, dëshmitari, i cili pretendon që e ka shitur motoçikletën, ka thënë se nuk ka dokumente për motorin e shitur dhe se nuk ka arritur ta identifikojë Astrit Deharin.

“I njëjti dëshmitar që thotë se e kanë blerë tre veta motorin e me vonë thotë se i ka identifikuar vetëm dy, ndërsa Astritin nuk ka arritur ta identifikojë. Dehari prej të gjitha shkresave nuk ka asnjë SMS dhe përgjim që është inkriminues dhe i përfshirë në dosje. Në asnjë prej pajisjeve të tij nuk është gjetur asgjë”, ka shtuar ai.

Molliqaj gjithashtu ka thënë se nuk ekziston asnjë dëshmi që aktivisti Astrit Dehari ishte pjesë e kësaj. Madje sipas tij, Dehari është arrestuar vetëm se ishte shok me Egzonin dhe Atdheun, dy aktivistët tjerë të “Vetëvendosjes” të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Më tej, Molliqaj ka thënë se përgjegjësit e këtij rasti do të përfundojnë prapa grilave.

“Do të fillojmë me padi penale ndaj tyre, si ndaj Dhurata Hoxhës, Metush Birajt, Skender Hysenit, Sylë Hoxhajt, ndërsa do të paraqesim fakte të alibive tjera”, ka theksuar Molliqaj duke thënë se persona të tjerë kanë qenë të dyshuar për këtë rast për tri javë resht dhe se pastaj përnjëherë lënda është drejtuar kah aktivistët e “Vetëvendosjes” dhe ata janë arrestuar brenda tri ditëve.

Në fund, Molliqaj ka konfirmuar se seanca e radhës ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit do të mbahet më 25 janar dhe se presin që të hidhet poshtë aktakuza.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme