Juristët tregojnë si të veprohet për asociacionin e nënshkruar nga ish kryeministratGjykata të vendos a janë vepra penale marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi dhe Mustafa.
I nënshkruar shumë vite më parë, asociacioni, nga ish kryeministrat Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, është ndër çështjet më aktuale të momentit.
Ani pse i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, po kërkohet që Kosova të zotohet për atë që ka nënshkruar në kuadër të dialogut me Serbinë, në Bruksel.
Serbia e BE-ja janë pro formimit të asociacionit, ndërsa SHBA-të kanë deklaruar se janë pro, por i mbetet Kosovës të vendosë.
E të hënën, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se SHBA-të nuk janë për një asociacion të nënshkruar nga Thaçi e Mustafa, për të cilët tha se kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive.
“Problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra, duhet ta themi një realitet që është, sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë. Dhe rrjedhimisht këto tendencat që pastaj të gjuhet përgjegjësia te komuniteti ndërkombëtar dhe të fshihen prapa komunitetit ndërkombëtar nuk i bëjnë nder Kosovës. Si përfaqësues të Republikës së Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë sakrifica, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional”, është shprehur Osmani, derisa ka shtuar se qëndrimet e Kosovës sa i përket çështjes së asociacionit mbesin të njëjta.
“Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta, nuk është që janë befasi për ndokënd, përfshirë edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, prandaj ne jemi duke diskutuar me ta si ta shtyjmë përpara procesin e dialogut, drejt asaj që është zgjidhja e vetme, e qëndrueshme jo vetëm për ne si Kosovë, por për gjithë rajonin, e që është njohja e ndërsjellë”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Por, përpos presidentes Osmani, ish kryeministrat Thaçi e Mustafa janë kritikuar nga shumë politikanë e analistë për nënshkrimin e marrëveshjes së asociacionit dhe janë shprehur kundër saj.
Duke qenë kështu, çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjë presidentja Osmani apo krerët e shtetit lidhur me këtë, me ish kryeministrat, ku Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë, ndërsa Mustafa është larguar nga politika?
Kelmendi: Pushteti të ndërmarrë veprime, mos të ankohet
ImageMuhamet KelmendiFOTO GALERI
Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, thotë për gazetën “Bota sot” se pushteti duhet të ndërmarrë veprime dhe jo të ankohet dhe për çdo veprim antishtetëror të drejtohet në organet e drejtësisë.
“Pushteti i ka votat për t’i zgjidhur problemet, e jo veç për tu ankuar. Veprimet antishtetërore që nga Presidentja, Qeveria a qytetarët, mendohet se janë vepra penale, sidomos ato nga pozitat e shtetit, i dërgohen si lëndë Prokurorisë Speciale dhe ajo vendos për hapjen apo jo të hetimeve për ish-udhëheqësit e vendit. Mbi faktet që mblidhen, nga PS-ja ngritet apo përfundon procedura kundër çdo të dyshuari”, është shprehur ai.
Kelmendi tregon se si e përcakton dënimin Kodi Penal.
“Në Kodin Penal theksohet taksativisht vepra penale që kryhet nga pozitat e pushtetit. “Kush me vetëdije apo pa të, nënshkruan marrëveshje që dëmton pjesërisht apo në tërësi tërësinë territoriale ose e vënë një pjesë të Republikës nën sovranitetin e huaj, dënohet më së paku me 5 vjet deri me burg të përjetshëm”. Ky është përkufizimi juridik nga nenet 120/123 të Kodit Penal. Ky është dënimi që është sanksionuar”, shpjegon profesori.
Gjykata të vendos a është vepër penale marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa
Ai shton se i takon gjykatës që të vendos nëse marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa është vepër penale.
“Tani a konsiderohen dy marrëveshje, ajo e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, të nënshkruara nga z.Thaçi dhe z. Mustafa, në vepër të tillë penale, i takon gjykatës në shqyrtim kryesor dhe me aktgjykim të vendos”, vlerëson ai.
Por, sipas profesorit, nuk arsyetohet që krerët e shtetit apo politikanët që janë sot në pushtet t’i arsyetojnë dështimet me nënshkrimin e asaj marrëveshje, pasi ata tani janë në pushtet dhe duhet të gjejnë zgjidhje.
“Ajo që nuk arsyetohet kurrsesi është fakti se as Presidentja, as Kryeministri apo ndonjë Ministre, deputet i pozitës, nuk ka të drejtë që dështimet t’i arsyeton me nënshkrimin e z.Thaçi dhe të z.Mustafa, të dhënë për Asociacion. Populli i ka zgjedhur dhe i ka vendosur në pushtet për t’i zgjidhur çështjet. Këtej edhe për asociacion dhe çështjet tjera të shtetit VV dhe z. Kurti e znj. Osmani i morën votat. Ankesat janë pa vend. Një a dy herë përsëriten gabimet, por jo vazhdimisht dhe më keq, i përsëritin për të arsyetuar eventualisht dështimet e pushtetit. Kështu nuk ecën çështja”, deklaroi Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.
Ndërsa, juristi Blerim Burjani duke folur për këtë çështje thotë se është çështje politike.
“Ajo është çështje politike, politika dhe qëndrimet politike nuk përmbajnë ndonjë vepër penale pa pasoja për shtetin ose sovranitetin e shtetit. Pra, deri tash nuk kishte pasoja në këtë drejtim, përveç qëndrimeve politike të ish kryeministrave apo ish presidentit për temën e asociacionit. Veprimet politike të deritashme nuk përmbajnë pasoja penale, përgjegjësia thjesht është politike”, deklaroi Burjani për “Bota sot”.