Gazetar: Mefail Ismaili
– Advertisements –
Për më shumë se një muaj në kryeqytet janë rikthyer 25 autobusë të vjetër të prodhuar rreth 50 vite më parë, të cilët punojnë me naftë. Kjo për shkak të shtrenjtimit të metanit nga rreth 50 në 110 denarë. Transportuesit privatë thonë se tani autobusët e tyre ekologjik vazhdojnë t’i mbajnë të parkuar dhe kjo i dëmton rëndë ekonomikisht, shkruan Alsat.
“Qëllimi jonë ishte t’i rrisim autobusët që punojnë me metan dhe ta përmirësojmë parkun e transportit. Autobusët e vjetër jo ekologjik ti nxjerrim nga përdorimi e ti zëvendësojmë me autobusë të rinj ekologjik. Por me shtrenjtimin e metanit këtë nuk mund ta blejmë. Me këtë çmim të metanit jemi plotësisht në humbje… Është dëm që autobusët e blerë me hua kreditore të rrinë të parkuar, kjo do të thotë problem për vetë ne dhe vetë qytetarët”, tha Jovan Kërstevski, transportues privat
Transportuesit thonë se për një muaj ndodhen në kolaps pasi për autobusët e ri jofunksional paguajnë kredi, derisa ata po shkatërrohen duke ndenjur në parking.
“Është shumë e dëmshme kur autobusët nuk voziten. Për shkak se këto autobusë me CNG janë shumë të sofistikuar në aspektin e sigurisë, kanë shumë senzorë dhe janë shumë të shtrenjtë për mirëmbajtjen për dallim prej automjeteve me dizel. Ky autobus pas një muaj kur do të ndizet duhet ti bëhen të gjitha kontrollet e senzorëve për siguri të CNG-së që të mund të lëshohet në funksion përsëri, e kjo do të na kushtonte përafërsisht nga 2 500 deri në 3 000 euro që të mund përsëri të kthehet në funksion ky autobus e të mos ndot aspak”, tha Aco Stevkovski, transportues privat
Për ambientalistët ndërkaq kthimi i autobusëve të vjetër me dizel në qarkullim në rrugët e kryeqytetit është një hap prapa për zbutjen e ndotjes së ajrit. Davor Pehçevski nga Eko Svest thotë se veprimi i këtillë vjen për shkak të keq menaxhimit me dekada të resurseve në qytet.
“Problemi tek ne është që në kohë më të gjatë, për 30 vite punohet pa plan, nuk ndërmerren hapat e vërteta, e për shkak të kësaj kjo krizë kontribuoi që të kthehemi hap prapa në vend që të ecim para. Mënyra e këtillë e punës pa plan, sot për nesër, nëse vazhdon edhe më tej do të kontribuojë edhe në vitet e ardhshme, ndoshta edhe me dekada e do të vazhdojmë të kemi ajër të ndotur në Shkup”, tha Davor Pehçevski, Eko Svest
Pas shtrenjtimit të metanit, transportuesit privatë dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik në Shkup kërkuan të marrin subvencione që të mund t’i vozisin autobusët ekologjikë. Nga Qyteti i Shkupit thanë se kanë ndihmuar NQP-në për rimëkëmbje para se të rritet çmimi i metanit, ndërsa nga Qeveria përgjegjësinë e hodhën tek Qyteti i Shkupit. /Alsat.mk