Hana është emri i një rruge në fshatin Zhur të Prizrenit. Ky emër mban emrin e një vajze fatkeqe që vdiq ditën e dasmës.
Mustafë Kurtaj që është një nga banorët më të vjetër të fshatit, thotë se ngjarja është e vërtetë.
“Tragjedia ka ndodhur kur nusja sipas traditës është përshëndetur me vëllain, babanë dhe kur është përshëndetur me njerkën, ajo ka filluar sipas traditës të vajtojë të shkuarën dhe kujdesin që njerka i kishte bërë. Nusja ka rënë në tokë e vd ekur ato momente”, ka deklaruar Kurtaj.
Kurtaj thotë se kur ka arritur babai që ishte një atdhetarë i fortë, në vend se të mërzitej fortë u ka dhënë kurajo tjerëve.
“Ndodh edhe kjo, të bëhemi të fortë”, transmeton Kurtaj fjalët e babait të nuses së ndjerë.
Krushqit nga ana tjetër ishin nisur për ta marrë nuse Hanën pa e pasur idenë e asaj që kishte ndodhur.
“Babai i Hanës iu kishte dalë në rrugë krushqve pa iu afruar mirë fshatit. Ata po sa kishin kuptuar lajmin ishin mërzitur, por babai i Hanës nuk i kishte lënë të largohen”, ka thënë ai.
Banori i fshatit Zhur thotë se një fqinj i ishte afruar babait të Hanës duke i thënë se “krushqit nuk do të kthehen pa nuse”.
“Në atë moment ai kishte dërguar dikë për të thirrur të bijën 15-vjeçare. Pasi ishin kthyer në shtëpi ai i kishte thënë vajzës: Shaje bijë a do të shkosh ti nuse në vend të Hanës. Vajza menjëherë kishte pranuar pa vënë aspak në dyshim atë që po i thoshte babai. Ajo vajzë edhe sot është gjallë dhe ka mbi 80 vjet”.
Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për fshatin Zhur.
“Edhe sot mua më vlon barku për atë ngjarje. Ka qenë moment shumë i rëndë”, rrëfen mes lotësh Mustafë Kurtaj.