Së fundi, ish-shefi i shërbimit të inteligjencës së Jugosllavisë UDB-së, Bozhidar Spasiç ka zbuluar se disa raste të atentateve politike ndaj shqiptarëve. Ndër të tjera ai e ka marrë përgjegjësinë personale dhe ka dëshmuar se shërbimi që ai e udhëhiqte UDB-ja, e ka kryer ekzekutimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, tre heronjve të Kosovës.
Ai madje pa fije turpi ka rrëfyer me krenari për vrasjen e tyre, ndërsa nuk është ndërmarrë ende asnjë masë nga Serbia ndaj tij. Madje as Kosova ende nuk ka lëvizur, për ta shpallur në kërkim.
Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar edhe këshilltari i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, prof.Dr.Rexhep Gjergji.
Ai ka thënë se këto janë mesazhe kërcënuese për vazhdim të atentateve ndaj patriotëve shqiptarë.
Deklarimet e ish shefit të inteligjencës serbe për vrasjen e Jusuf Gërvallës në këto momente delikate kur po bisedohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po përcjellin mesazhe kërcënuese për vazhdim të atentateve ndaj patriotëve shqiptarë, vlerëson profesor Dr.Rexhep Gjergji, këshilltar i ministres Gërvalla.
“Në këtë kontekst ai kërcënoi hapur ministren e jashtme të Republikës së Kosovës zonjën Donika Gërvalla-Schëarz.
Ky është edhe një argument tjetër që shteti serb duhet vënë para përgjegjësisë, para shtetit gjerman brenda të cilit ka kryer një vrasje me elemente terroriste. Kërcënimin ndaj zonjës Gërvalla shteti i Kosovës duhet ta marr shumë seriozisht, ministren Gërvalla ta marrë në mbrojtje, ndërsa me këtë kërcënim të pa precedent t’i njoftojë të gjithë faktorët ndërkombëtarë”, deklaron Rexhep Gjergji.
Tërnava: Serbia po zhvillon ‘luftë speciale’ ndaj Kosovës
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këto deklarata kërcënuese të ish-shefit të inteligjencës serbe, Bozhidar Spasiçit.
ImageHajrullah TërnavaFOTO GALERI
Fillimisht, ai u shpreh se duke pas parasysh se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, në këtë kohë shtetet armike të vendit, sidomos Serbia po zhvillojnë luftë speciale ndaj shtetit tonë.
“Shteti i Kosovës si shtet i pavarur që është, duhet t’i ketë edhe politikat e tij shtetërore që i zhvillon si në Kosovë dhe jashtë t, prandaj edhe në këto rrethana të tilla që ende ndërkombëtarët po ndërmjetësojnë për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duhet ta kemi të qartë se shtetet armike të orientuara ndaj Kosovës, zhvillojnë luftëra speciale ndaj shtetit tonë dhe popullatës shqiptare”, deklaroi eksperti.
Tërnava thotë se tani botërisht dihet se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë nga shërbimi sekret serb.
Madje, ai potencoi se mesazhi i ish kreut të UDB-së, Spasiq ishte jo vetëm kërcënues, por edhe i ashpër e armiqësor.
“Vrasjet e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës tani edhe botërisht dihet që janë të vrarë nga shërbimi sekret i Serbisë, i asaj kohe të vitit 1982, që thirrej Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SHSSH, në serbisht UDB) kurse në gjuhën serbe SDB, e që në popull të asaj kohe të Rankoviqit famëkeq, ky shërbim thirrej, UDB e që në kujtesat e popullit tonë ende na ka mbetur në mendjet tona si UDB, nga ato të këqija që ua kanë bërë popullit tonë me vrasjet e shumta e me qindra mijëra njerëz të dëbuar për në Turqi e që tani ata shqiptarë që jetojnë atje janë në shumë miliona. Prandaj, këto krime të atëhershme ndaj shqiptarëve ishin të qëllimshme, sepse shqiptarët sot do të ishin popullata më e madhe në Ballkan. Mesazhi i ish kreut të UDB-së, Spasiç është jo vetëm kërcënues, por edhe i ashpër dhe armiqësor edhe që kjo vrasje dihet qysh nga atëherë që e kishte kryee ky shërbim sekret i Serbisë”, theksoi ai.
Në vazhdim, eksperti i sigurisë nuk u shpreh i befasuar me luftën speciale të shtetit serb ndaj Kosovës.
Mirëpo, bazuar në deklaratën e Spasiçit, ai hodhi dyshime se në këto vrasje kanë qenë të involvuar edhe individët shqiptarë.
“Në këto kohëra tani zhvillohen edhe luftëra speciale e sidomos nuk duhet të jetë befasi për shtetin tonë sepse gjithherë i dimë qëndrimet e Serbisë ndaj vendit tonë, sikur që po ky person Spasiç edhe për vrasjet në fjalë, në disa raste tjera e pranon se ekzekutimin e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e kanë krye serbët, por na jep të nënkuptojmë se ka pasur edhe individ shqiptarë të involvuar në këto vrasje. Ai si ish-drejtues i atij shërbimi, do me fut dyshime në mesin e popullatës tonë që të përfolën në mënyra të ndryshme shqiptarët e asaj kohe, dhe me këtë të arrihet armiqësia mes shqiptarëve”, shpjegoi Tërnava.
Shteti i Kosovës dhe populli shqiptar e kanë të qartë se çfarë qëllime ka populli serb!
Më tej, ai përmendi shkatërrimin e Jugosllavisë dhe politikat që Serbia po i përdorë për destabilizimin e Kosovës.
“Sikur e shpjegova, qëllimi i Serbisë me politikat e saj speciale bënë çmos për t’i destabilizuar politikat e Kosovës, që ta bind faktorin ndërkombëtar që mos të angazhohen për pavarësinë e Kosovës dhe Kosova t’i kthehet si pjesë përbërëse Serbisë”, nënvizoi eksperti i sigurisë për “Bota sot”.
Në fund, Tërnava thotë se duke u bazuar në deklaratën kërcënuese të Spasiçit, mund të kuptohet se populli serb ka qëllime të vrasë jo vetëm ministren Gërvalla, por edhe shume udhëheqës të tjerë të Kosovës.
Ai kërkoi nga organet e sigurisë që t’i ofrojnë siguri të mjaftueshme Gërvallës dhe të gjithë udhëheqësve të institucioneve të vendit.
“Marrë në tërësi e thëna e Spasiçit se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla është vajza e Jusuf Gërvallës lë të nënkuptohet si kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës e që këtë e kishte vlerësuar si kërcënim edhe këshilltari i ministres. Edhe pa u drejtuar fare ky kërcënim i Spasiçit, shteti i Kosovës dhe populli shqiptar e kanë të qartë se çfarë qëllime ka populli serb. Me pas mundësi jo që e kishin vra ministren Gërvalla, por edhe shumë të tjerë, madje të gjithë i kishin likuiduar, por ne duhet të bëjmë çmos për sigurimin e personave zyrtar që t’iu ofrojmë siguri të gjithë strukturave të Qeverisë, si ministrave, Kryeministrit dhe të gjithë atyre që përfshihen në udhëheqje të shtetit.
Kjo sepse siguria e tyre duhet të jetë në rend të parë e suksesshme, sepse në bazë të sigurisë së tyre vlerësohet aftësia e një shtetit, e sidomos kur në përgjithësi dihen shtetet armike të drejtuara ndaj shtetit tonë, dhe gjithsesi kërkohet që trupat e sigurisë të luajnë rolet e tyre aktive në mbrojtje të udhëheqësve të shtetit, duke sakrifikuar edhe jetët e tyre nëse këtë e kërkon situata”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.
Kelmendi: Kryeudbashi Spasiq e pranoi se atentatin në Untergruppenbach ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e ka kryer UDB-ja e RSFJ-së
Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” thotë se ish-shefi i inteligjencës serbe, e tha një të vërtetë të madhe për atentatin e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
ImageMuhamet KelmendiFOTO GALERI
Ai thotë se kjo është hera e parë që nga krerët e ish-UDB-së, krimineli Spasiq, e pranon se atentatin e ka kryer shteti serbo-jugosllav.
“Është thënë shpeshherë se atentatin e ka kryer UDB-ja e Jugosllavisë. Natyrisht se nuk dihet dorasi, por dihet organizatori (kryeudbashi Spasiç) i aktit kriminal mbi heronjtë. Krimineli Spasiç ka thënë një të vërtetë për atentatin që është bërë kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në Untergruppenbach, me 17 janar të vitit 1982.
Është hera e parë që nga krerët e ish-UDB-së, krimineli Spasiç, pranohet se atentatin e ka kryer shteti serbo-jugosllav. Natyrisht se kështu edhe përfundojnë interpretimet se mbi atentatin ka pasur konflikte politike midis radhëve të organizuara të kohës dhe kështu ka ardhur deri te atentati. Thjeshtë: “qërim hesapesh”. Me këtë u vërtetua natyra e atentatit”, deklaroi juristi.
Krahas kësaj, Kelmendi thotë se deklarata e Spasiçit tregon bazën e atentatit dhe faktin se nuk ka pas konflikte mes shqiptarëve.
“Deklarata e udbashit Spasiç tregon se nuk kishte konflikte midis shqiptarëve. Forcat e kohës ishin në konflikt me Jugosllavinë dhe Serbinë që masakronte shqiptarët dhe punonte për interesat shoviniste serbe.
Pikërisht këtu është edhe baza e atentatit. Dhe, mu kjo dha për të kuptuar se armiqtë janë të njëjtë, pavarësisht kohës dhe përkatësisë nacionale”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, juristi u shpreh i shqetësuar që nuk kishte asnjë reagim nga Qeveria për deklaratën kërcënuese të Spasiçit, duke paralajmëruar se ajo bartë rreziqe të mëdha.
Madje, ai kërkoi të hapen procedura penale ndaj shtetit serb.
“Aktualisht askush nga Qeveria nuk ka reaguar ndaj këtij fakti të shprehur nga krye-udbashi Spasiq. Kjo është e dëmshme dhe bartë me vete rreziqe. Është thjesht e pashpjegueshme.
Shteti duhet të reagojë dhe të kërkojë që ndaj shtetit serb të hapet procedura penale.
Prishtina duhet të reagojë në Bruksel, kudo në qendrat e ndryshme të shteteve vendosëse. E veçanërisht në Uashington, atje ku edhe bëhet politika”, theksoi Kelmendi.
Krejt në fund, ai paralajmëroi se shteti serb pritet të bëjë edhe atentate dhe veprime kriminale shumë të rrezikshme, prandaj kërkoi veprim mbrojtës të organeve të sigurisë së vendit.
“Pikërisht me deklaratën e tillë znj. Gërvalla dhe miqve të saj, u ka treguar dorasin e vëllezërve Gërvalla (babait dhe axhës) dhe të Kadri Zekës. Kështu, Spasiç tregoi se Serbia mund të vrasë edhe më tej, sikurse ka vrarë edhe më herët. Kuptohet se Republika duhet të presë veprime të rrezikshme ndaj shtetit të Kosovës.
Situata në mes Ukrainës dhe Rusisë, NATO-s, BE-së e SHBA-ve, tregon se kështu mund të veproj edhe shteti serb, nëse jo mbi tërë shtetin, atëherë në pjesën veriore të Kosovës. Shteti serb pritet të bëjë atentate, veprime të ndryshme kriminale si dhe shumë të rrezikshme. Këtej lypset syçeltësi dhe veprim mbrojtës ndaj çdo akti kriminal. Shteti i ka mekanizmat e mbrojtjes”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.