Shteti fqinj Greqia ka arritur të ‘çmontojë’ një grup prej 30 vetash të cilët akuzohen se kanë kryer vjedhje në transportin publik.
Ata janë 20 shqiptarë, 8 pakistanezë, 1 rumun dhe 1 nga Bangladeshi.
Njekohësisht janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim edhe 9 persona të tjerë.
Anëtarët e grupit i përzgjidhnin viktimat e tyre të mundshme sipas shkallës së lehtësisë së vjedhjes dhe vepronin në orët e pikut, ndërkohë që shkaktonin edhe mbingarkesë artificiale në autobus, për t’ju marrë kuletat dhe sendet viktimave të tyre.
Sipas mediave greke autorët zgjedhnin vende “të verbëra”, të cilat nuk mbuloheshin nga kamerat e sigurisë dhe përdornin kode në komunikimet e tyre telefonike.
Pas vjedhjeve, paratë i shpërndanin me njëri-tjetrin.
Nga hetimet e deritanishme policore ata kanë kryer 81 vjedhje ndaj pasagjerëve, me përfitim financiar që kalon sipas ELAS shumën e 50 mijë eurove.
Nga kontrollet e kryera në 20 shtëpi të anëtarëve të organizatës kriminale , si dhe në 2 dyqane të hajdutëve, ndër të tjera u gjetën dhe sekuestruan: 10 laptopë, 83 celularë, 11 ora, 5 kuleta, 3 çanta, një numër. byzylyk femrash 3070 euro 5 vetura private 2 motoçikleta, një sërë aksesorësh celularësh, tabletë dhe laptopë, 308 pako për lidhje telefonike, një sasi e vogël kanabis të papërpunuar, si dhe një sërë dokumentesh, shënime të shkruara me dorë, kartela dhe fatura të transportit publik.
Shumica e anëtarëve të grupit janë arrestuar në të kaluarën për vepra të ngjashme.
Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës.
© SYRI.net