Gazetare: Fatlume Dervishi
– Advertisements –
As në këtë të hënë, pas koordinimit të zakonshëm të grupeve parlamentare me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, nuk ka pasur marrëveshje për zhbllokimin e punës në komisionet parlamentare të cilët bllokojnë edhe procedurat në seancat plenare, shkruan Alsat.
Rreth shtatë komisione janë pothuajse jofunksionale. Kjo pasi disa deputetë kaluan nga ligjvënësi në pushtetin lokal pas zgjedhjeve lokale kurse pati edhe kalim të partive nga pushteti në opozitë, siç bëri lëvizja Besa, dhe nga pozita në pushtet, siç bëri Alternativa. Kështu që përbërja e komisioneve, nuk pasqyron situatën e re pushtet-opozitë.
Pushteti më nuk e ka shumicën në disa komisione. LSDM-ja pranon ekzistencën e këtij problemi dhe thotë se punon për një zgjidhje brenda Kuvendit. Akuzon opozitën për bllokim të qëllimshëm.
“Nuk është se nuk ka vullnet ose përpjekje nga ana e deputetëve të pushtetit por është rezultat i të gjithë asaj që e bëjnë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të tyre, obstruksione, frenim të proceseve, frenim të ligjeve që duhet të miratohen, të cilët për një kohë të gjatë janë në procedurë parlamentare. Sigurisht se nuk nevojitet takim liderësh. Kjo është shtëpia ligjvënëse dhe këtu janë përfaqësuesit e popullit dhe ai është detyrimi ynë, përmes dialogut të vijmë në zgjidhje të përbashkëta”, tha Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.
Opozitarja VMRO-DPMNE nuk pranon akuzat por fajëson pushtetin për jofunksionalitetin e Kuvendit.
“VMRO-DPMNE-ja, gjithçka që punon në Kuvend është në të mirë të qytetarëve. Ajo për të cilën nuk mund të merren vesh mes tyre koalicioni LSDM-BDI është problem i tyre. Këtu nuk përzihemi. Në një shtet parlamentar kjo është për të ardhur keq që Kuvendi të funksionojë aq rrallë, por kjo ndoshta nuk është pasqyrë e punës së Kuvendit, edhe pse këtu përsëri është fajtor dyshja LSDM-BDI, kjo është pasqyrë e mospunës së pushtetit në vendin tonë”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Komisioni për zgjedhje dhe emërime definon përbërjen e komisioneve të tjera në Kuvend duke zgjedhur anëtarët dhe kryetarët e tyre. Ai nuk funksionon prej muajsh, që me largimin e ish kryetarit Kostadin Kostadinov pas zgjedhjes së tij kryetar i Strumicës. Pushteti thotë se edhe pasi të zgjidhet kryetar i ri i komisionit, shumicën në këtë komision përbëri e bën deputeti Fadil Zendeli, i cili aktualisht është pjesë e opozitës. Zendeli deklaron përsëri se nuk ka për qëllim të jetë dekonstruktiv, se nuk do të tërhiqet nga pozita e anëtarit në këtë komision dhe do të votojë në bazë të bindjeve të tij.
“Kryetari i Kuvendit në çdo moment mundet të thirr seancë. Unë si deputet, shpresoj se edhe deputetët e tjerë që janë anëtar në këtë komision, jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë. Në asnjë moment unë, shpresoj që edhe kolegët e tjerë, nuk do të jem pengesë në funksionimin e këtij komisioni. Pengesë janë ata që nuk e thirrin komisionin dhe nuk japin mundësi që ne si deputetë të japim qëndrimet tona”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.
Kjo përplasje në Kuvend përveç që ka lënë pa anëtarë dhe kryetar disa komisione parlamentare, ka lënë pa zgjedhur edhe katër gjykatës të rinj në Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht funksionon vetëm me pesë gjykatës nga gjithsej nëntë që duhet t’i ketë.
Në dy muajt e fundit Kuvendi ka hapur vetëm tre seanca të reja kurse që nga konstituimi në verën e vitit 2020 ka gjithsej 20 seanca plenare të papërfunduara./ Alsat.mk