Me kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, policia dhe organet tjera kompetente në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka zhvilluar një aksion të koordinuar në gjashtë lokacione të Shkupit. Në të njëjtën kohë, veprimet janë zhvilluar edhe në Belgjikë dhe Holandë nga organet hetimore të vendeve përkatëse.
Prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale – Larje të parave dhe produkteve të tjera të veprës penale.
– Advertisements –
Sipas Kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, nën drejtimin e një gjyqtari hetues belg, po hetohet për një organizatë kriminale që ndër të tjera merret me kultivimin e paautorizuar të kanabisit dhe shitjen e lëndëve narkotike. Nga veprimet e gjyqtarit hetues dhe Policisë Gjyqësore Federale të Flandrisë Perëndimore, u konstatua se shumica e anëtarëve të grupit të organizuar kriminal janë shtetas të Maqedonisë, ose me origjinë nga vendi ynë, ndërsa pjesa tjetër janë nga Holanda, Bullgaria dhe shtetas belgë.
Grupi ka kultivuar kanabis ilegalisht në disa plantacione në Belgjikë dhe Holandë që nga 1 janari i vitit 2020, ndoshta edhe më herët.
Shtetasit e dyshuar të Maqedonisë kanë qenë periodikisht në linjën Belgjikë dhe Holandë – Republika e Maqedonisë Veriore. Në të njëjtën kohë, hetimi konstatoi se të dyshuarit kanë marrë një pjesë të parave të fituara nga krimi në RS të Maqedonisë dhe kanë blerë një pjesë të pasurisë së paluajtshme në tregun belg të pasurive të paluajtshme.
Në aksionin i cili përfshiu një numër të madh punonjësish policie dhe filloi në mënyrë të koordinuar në të tre vendet në orën 5 të mëngjesit, u sekuestrua para, një automatik, një pushkë, dy pistoleta, një sasi e madhe municionesh, automjete dhe bizhuteri ari, si dhe dëshmitë e transaksioneve të shumave të mëdha të parave në llogaritë bankare, ndërsa janë privuar nga liria dy persona të cilët do të paraqiten para gjyqtarit në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup. Duke marrë parasysh se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e ikjes, fshehjes së të dyshuarve, si dhe asgjësimit të gjurmëve të veprës penale, ndikimit te dëshmitarët apo përsëritjes së veprës penale, prokurori publik kompetent do t’i thotë gjyqtarit të procedurës paraprake se ka paraqitur propozim për përcaktimin e masë paraburgimi për të dyshuarit. Njëkohësisht, prokuroria do të kërkojë ngrirje të përkohshme të pasurisë së të dyshuarve.
Njëkohëisht në Belgjikë janë arrestuar 11 persona dhe janë kontrolluar 20 lokacione, ndërsa në Holandë janë arrestuar pesë persona.