KLP rrëzon me shumicë votash kërkesën e ILD-së për ‘vërejtje publike’ ndaj dy prokurorëve

ILD konkludoi se dy prokurorët Françesk Ganaj dhe Milan Laska, në mospërmbushje të detyrës kishin sjellë si pasojë shuarjen e masës “arrest në burg” ndaj të riut Aldi Rama, i cili ditën kur duhej të gjendej në qeli për një vepër tjetër penale, ekzekutoi me armë zjarri oficerin e policisë së Lezhës, Saimir Hoxha.


Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP njoftoi të enjten se rrëzoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për dhënien e masës disiplinore “vërejtje publike” ndaj prokurorit të Lezhës Françesk Ganaj dhe prokurorit të Tiranës Milan Laska – hetimi disiplinor ndaj të cilëve filloi bazuar në informacionin e paraqitur në medie se, veprimet dhe mosveprimet e tyre kishin sjellë caktimin e një mase më të lehtë sigurimi ndaj të riut Aldi Rama, që vrau me armë zjarri oficerin e policisë Saimir Hoxha teksa po ushtronte detyrën.

Hoxha dhe disa kolegë të tij ishin pjesë e një grupi kontrolli kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Lezhës. Paraditen e 28 shtatorit 2021, në hyrje të rezervatit të Kune Vain, ata ndaluan disa të rinj të cilëve u kërkuan të identifikohen, por 21-vjeçari Rama refuzoi dhe shtiu me armë zjarri ndaj oficerit Hoxha. Në vijim Rama u fsheh për disa orë në zonë, ku dushohet se u vetëqëllua për vdekje.

“Me propozim të Komisionit Disiplinor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi me shumicë votash, për ‘Rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistratit F.G. dhe magjistratit M.L.’”, citohet në njoftim.

Hetimi administrativ i ILD-së evidentoi se 21-vjeçari Aldi Rama i cili qëlloi me armë zjarri ndaj oficerit Hoxha, duhej të gjendej në qeli ditën e ngjarjes, për kryerjen e një vepre tjetër penale. Por veprimet dhe mosveprimet e dy prokurorëve ndaj të cilëve u kërkua masa disiplinore, kishin sjellë si pasojë caktimin e një mase më të lehtë.

ILD konkludoi se si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve në mospërmbushje të detyrës funksionale gjatë hetimeve paraprake të kryera ndaj 21-vjeçarit Aldi Rama, prokurori Françesk Ganaj ka shkaktuar dorëzimin e akteve të procedimit penal në gjykatë në tejkalim të afatit të paraburgimit për të pandehurin. “Ç’ka ka sjellë për pasojë konstatimin nga ana e gjykatës, të shuarjes së masës së sigurimit ‘arrest në burg’ ndaj të pandehurit A.R. dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit ‘arrest në shtëpi’, citohet në notën informative të ILD-së të njoftuar për mediet më 16 shkurt.

Për prokurorin Milan Laska u konstatua se ai në cilësinë e drejtuesit, pa shkaqe të arsyeshme, ka lejuar mosbatimin e një udhëzimi të detyrueshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, duke sjellë konfuzion për kohën e dorëzimit të akteve nga prokurori i çështjes ndaj të riut Rama dhe në vijim në gjithë zinxhirin e hallkës së funksionimit administrativ në prokurori për kalimin e akteve në gjykatë.

Këto sjellje të prokurorëve u konsideruan prej ILD-së në mospërmbushje të detyrës dhe në cënim të pozitës e figurës së prokurorit, por shumica e anëtarëve të KLP-së e ka vlerësuar kërkesën për masën disiplinore të pabazuar dhe e ka rrëzuar. KLP njoftoi se arsyetimi vendimit do t’u njoftohet palëve brenda 5 ditëve nga data e shpalljes./BIRN

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme