Lufta në mes Rusë dhe Ukrainës tashmë ka nisur, ku vetëm në ditën e parë u shënuan 137 viktima, pasi presidenti rus, Vladmiri Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të vendosin sanksione ndaj Rusisë, që sipas tyre do të kenë “pasoja masive dhe të rënda”. Po ashtu, sanksione ndaj shtetit rus vendosi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili tha se SHBA-ja tash për tash ka vendosur që të mos vendosë sanksione ndaj Moskës, sa i përket sistemit SWIFT.
E lufta e nisur në Ukrainë, ka alarmuar edhe rajonin tonë, Ballkanin.
Për të folur për zhvillimet në Ukrainë dhe ndikimin e kësaj lufte në Ballkan, gazeta “Bota sot” ka biseduar me profesor, doktor Enver Bytyçi.
Sipas tij, ngjarjet që po zhvillohen në Ukrainë dhe agresioni rus kundër saj, janë një këmbanë alarmi në radhë të parë për kontinentin evropian.
“Është hera e parë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore që një Fuqi, pra Rusia, shndërrohet në një fuqi imperialiste dhe kërcënon paqen dhe stabilitetit, madje rendin botëror. Arsyetimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për këtë agresion bazohen në teoritë hitleriane të së drejtës, por jo edhe të së drejtës së sotme ndërkombëtare”, thotë Bytyçi.
Ai thekson se nëse rrezikohet Ballkani nga ngjarjet dhe agresioni rus, po në këtë masë do të rrezikohet Evropa.
“Ministri shqiptar i Mbrojtjes ka folur për të dytën herë rreth këtyre ngjarjeve dhe ka thënë se kriza e Ukrainës do të ndikojë në Ballkan. Kjo nuk është një gjë e re. E kanë thënë disa personalitete ndërkombëtare. E tha më hapur ministrja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe këtë. Megjithatë unë mendoj se nëse rrezikohet Ballkani nga ngjarjet dhe agresioni rus, po në këtë masë do të rrezikohet Evropa. Nëse Rusia vendos sundimin e saj në Serbi, Republikën Srpska dhe Mal të Zi, atëherë është e sigurt se do të kishte një agresion të ri kundër Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.
Në rast se ndodhë një gjë e tillë, sipas Bytyçit, Moska do të vendoste së paku një bazë ushtarake të fuqishme në bregdetin lindor të Adriatikut, synim ky i Vladimir Putinit.
“Por nga ana tjetër sundimi rus në këto vende do të ishte kërcënonte të gjithë Evropën, sepse Moska do të vendoste së paku një bazë ushtarake të fuqishme, ndoshta dhe bërthamore në bregdetin lindor të Adriatikut. Ne shqiptarët e dimë mirë historinë e bazës së Vlorës dhe ndjeshmërinë e rrezikut prej saj të vendeve evropiane. Një bazë ushtarake ruse në Tivar do të ishte tmerr dhe presion i jashtëzakonshëm për vendet e Evropës. Ky është synimi i Vladimir Putin, të ketë një dalje në Adriatik. Ky ka qenë synimi i përhershëm i Rusisë, së paku prej gjysmës së dytë të shekullit XIX. Për këto synime Serbia dhe Rusia e nisën Luftën e Parë Botërore në vitin 1914”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Kur Vladimir Putin tha se do të rikthejë forcën dhe autoritetin rus të para vitit 1918 në Evropë, këtë kishte parasysh. Pikërisht realizimin e projektit për të siguruar një dalje në Adriatik dhe prej këtu ta kërcënojë Evropën. Asokohe Fuqitë Perëndimore nuk e lejuan, por sot ai llogarit në forcën e armëve bërthamore dhe fuqinë ushtarake. Njësoj si edhe Hitleri në vitet 1933-1945. Madje edhe alibitë janë të njëjta. Flitet për padrejtësi ndaj Rusisë, sipas Putin, për “botën ruse”, për të drejtën e ndikimit në zona influence si në periudhën e Brezhnjevit e kështu me radhë”, shton profesor Bytyçi.
Më tej, Bytyçi shton se NATO-ja duhet të bëhet instrumenti i mbrojtjes së Ballkanit, Evropës Lindore dhe Juglindore.
“E gjitha kjo nuk është punë e Niko Peleshit. Deklaratat e tij janë spekulative, sepse Shqipëria është anëtarë i NATO-s dh nuk mund të ndërmarrë aksione ushtarake të një anshme qoftë dhe në ndihmë të Kosovës. Nëse dikush e beson këtë përrallë të Nikos, do të ndikojë për ta dobësuar rolin e Kosovës në forcimin e aftësive të saj në këto kohë të vështira. Kosova duhet të punojë dhe të realizojë standarde të larta me qëllim që të bëhet sa më shpejt anëtare e NATO-s. NATO-ja duhet të bëhet instrumenti i mbrojtjes së Ballkanit, Evropës Lindore e Juglindore, sepse vetëm e bashkuar ajo mund të mbrohet nga një intervenim rus në thellësi të kontinentit”, deklaron Bytyçi.
Pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, Bytyçi kërkon që Rusisë t’i vendosen sanksione të ashpra ekonomike.
“Ukraina është fundi i një marrëdhënieje të besueshme midis NATO-s dhe Rusisë, midis Evropës dhe Fuqisë Ruse. Nuk ka më kuptim që t’i bëhen lëshime Moskës. Kundër Kremlinit duhen vendosur sanksione të ashpra, me qëllim që Vladimir Putin të gjunjëzohet prej krizës ekonomike. Vetëm ekonomia mund ta rikthejë në normalitet Kremlinin. Nëse në këtë aspekt bëhet shkak Kina për ta shpëtuar falimentimin ekonomik të Rusisë, Evropa duhet të bëjë presion edhe ndaj Kinës. Jam i bindur se midis Rusisë dhe Evropës, Kina do të zgjedhë Evropën. Sepse interesat e Pekinit janë të lidhura pikërisht me Evropën dhe një Rusi e fuqishme do të ishte problem i madh për Kinën, vende këto me një kufi të stërgjatë tokësor midis tyre”, nënvizon Bytyçi.
Por sa mund të ndikojë lufta e Ukrainës në të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit?
“Përfundimisht mund të them se Kosova e ka vetë në dorë, nëse dëshiron ose jo të nxjerrë mësime nga konflikti në Ukrainë. Ajo duhet ta shfrytëzojë rastin që të bëhet anëtare e NATO-s. Sa më shpejt, aq më mirë. Nuk dihet se cilën anë do të mbajë Serbia. Nëse i bashkohet Rusisë dhe gjasat janë të tilla, atëherë Kosova rrezikohet edhe më shumë. Nëse nuk i bashkohet Rusisë, Serbia ka shumë mundësi t’i japë fund konfliktit me Kosovën. Por është herët të thuhet. Në fund të fundit serbët janë mbi 80 përqind pro Rusisë. Ndërsa serbët e Bosnjës 100 për qind pro Putinit”.
Për fund, Bytyçi shprehet se qeveria shqiptare nuk është ë zonja t’i kërkojë Vuçiqit që të kërkojë falje për krimet serbe, e lëre më qa mbrojë Kosovë, gjë të cilën e kishte thënë Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Shqipëria ka dhe do të ketë rol në pikëpamje diplomatike, nëse do të ndryshojë qeverisja në Tiranë. Kjo qeveri nuk është e zonja as ta kushtëzojë Vuçiqin me dënimin që ai duhet t’i bëjë politikave shfarosëse të Milosheviçit në Kosovë. Kjo qeveri nuk guxon që t’i thotë presidentit serb së paku të kërkojë ndjesë për krimet makabre të tij në Kosovë. Prandaj Vuçiq thotë se do të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës, nëse Ukraina dënon ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Të njëjtën gjë tha Putin në Moskë kur krahasoi Krimenë me Kosovën dhe mohoi se Në Kosovë kishte apartheid e më pas gjenocid masiv, ndërkohë që në Krime asgjë nga këto nuk kishin ndodhur”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.