Gjykata e Sarandës ka lënë prapa hekurave shefen e Inspektorit vendor të Mbrojtjes së Territorit, Romina Pulaj. Prokurori Kledian Llaho kërkoi mosndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtari i çështjes, Shkëlzen Licaj.
Sipas dy avokatëve, Gjergji Imeraj dhe Agron Gurëbardha, gjykata pranoi se objekti 7- katësh ishte me leje, por u shpreh se kryeinspektorja nuk kishte ndërhyrë.
“Vendimi i gjykatës ishte absurd, kur prokurori pranon që ka leje ndërtimi në 206 dhe pranon që në 2017-ën kjo leje është zgjatur dhe pranuar me vendim gjykate; në 2021-shin subjekti ka filluar ndërtimin, por thotë se e dyshuara nuk ka bërë veprime. Kjo nuk është e vërtetë pasi e dyshuara ka çuar 4 inspektorë në objekt, ka marra masën e pezullimit, i ka vendosur gjobën dhe, pasi e ka studiuar në tërësi, ka parë që vendimi i gjykatës është i drejtë, pasi objekti është me lejen e 2006- ës dhe vepron ligji i 2006-ës, që lejen e ka edhe subjekti, edhe pronari i tokës. Duke qene se pronari i tokës është i pranishëm, ndërtimi është bërë nga pronari i tokës, çfarë ka të paligjshme. Nëse duan t’i zënë vendin e punës, është tjetër gjë. Ne kërkuam detyrim paraqitje, por edhe ajo ishte e tepërt apo sigurim financiar”, thanë avokatët.
E pandehura nuk ka pranuar asnjë nga akuzat, ndërsa s’e ka pohuar se ka ndërhyrë pranë subjektit kur ka pasur shkelje. Avokatët kanë deklaruar se do ta çojnë çështjen në Apel, duke kërkuar masë sigurie “Detyrim paraqitje”.
Drejtuesja e IMT-së Sarandë u arrestua tri ditë më parë, pasi sipas Policisë, nuk kishte vepruar për ndërtimin pa leje të një pallati 7-katësh në një zonë kodrinore në hyrje të qytetit.
Ndaj saj ka pasur edhe denoncime të tjera nga qytetarët, kryesisht për shtesat me disa kate të pallateve. Denoncimet janë marrë në shqyrtim nga Prokuroria e Sarandës, ndërsa oficerë të krimit ekonomik dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë bërë këqyrjen e objekteve pa lejë të ndërtuara në Sarandë.