Kush priste një Regan të ri, u zhgënjye!

Kush priste Reganin e ri, u zhgënjye! Kjo është analiza e Ditës së Inaugurimit të Donald Trump si president i 45 i SHBA. Kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë përsëriti të gjitha temat që kishte hedhur në mënyrë obsesive gjatë fushatës elektorale dhe që sot tingëllojnë akoma më false. Pa hedhur asnjë fjalë për programin e 100 ditëve të para të punës.

“Ky nuk është një kalim normal pushteti. Sot pushteti kalon tek ju, populli”. Është formula klasike e populistit, e cila u përdor në hapje të fjalimit të Donald Trump, në momentin e inaugurimit si president. Mesazhi i tij ishte i qartë: unë nuk jam politikan, më zgjodhët sepse donit një sfidues nga jashtë të sistemit, unë përfaqësoj ndarjen me kastën e politikës amerikane!

Kjo është një nga temat e forta të fushatës elektorale, përtej populizmit. Por që sot, në 20 janar, tingëllon false, akoma më false sesa gjatë fushatës. Deri në nëntor, mund të thuhej se Trump, njëlloj si Silvio Berlusconi, është një përfaqësues i kastës kapitaliste, çka përmban një dozë të madhe hipokrizie, kur i drejtohet popullit si “një prej tyre”. Refreni i tij i ngjashëm me atë të Berlusconit është “unë krijova nga hiçi një pasuri të madhe, kurse politikanët vodhën paratë tuaja”, ose “unë jam i pakorruptueshëm, nuk kam nevojë të vjedh se jam tashmë i pasur”, ose “do t’i bëj të shëndetshme ndërmarrjet dhe bizneset e SHBA, siç bëra me bizneset e mia”. Gjithçka tepër e diskutueshme, po t’i hedhësh një sy falimentimeve të shumta të bizneseve që ka menaxhuar.

Por nga 9 nëntori e deri më sot, ky fjalor i Trumpit u kompromentua nga ai vetë për një arsye krejt tjetër: emërimet në kabinetin e tij. Tre bankierë të Goldman Sachs, ish-shefi ekzekutiv i Exxon Mobil dhe lobistë të tjerë të fuqishëm të lidhur me naftën. Qeveria e Donald Trump ka sot një rrjet të tërë figurash që janë më të lidhura se kurrë me kastën politike e financiare. Premtimi i tij i dy muajve më parë që t’i kthente pushtetin popullit, tingëllon tashmë si një mashtrim i pastër.

Tema tjetër e fortë e fjalimit inaugurues të Trumpit ishte nacionalizmi. I cili e rreshton në fakt presidentin e ri me shumë nga lëvizjet anti-globaliste nëpër botë. Të blejmë mallra amerikane, të marrim në punë amerikanë, të prodhojmë në Amerikë! Këto janë fjalët më të përdorura nga Trump, teksa premton të vendosë para së gjithash interesin amerikan. Kjo është një temë popullore, që i pëlqen sot edhe të majtës në SHBA. Më së pari Bernie Sandersit, kundërshtarit të ashpër të Donald Trumpit, i cili gjithashtu sulmoi gjatë fushatës marrëveshjet ekonomike të shkëmbimit të lirë të mallrave. Kësisoj Trump premton t’i kthejë favorin, votave të klasës punëtore të bardhë, e cila u godit ashpër nga kriza ekonomike dhe rrënimi i zonave industriale. Atyre trump ju ofron ndihmë dhe mbrojtje. Është diçka që nisi ta bëjë, edhe pse në mënyrë ende simbolike dhe të parëndësishme, kur mundi të bllokojë largimin e një fabrike kondicionerësh në Michigan, që Fordi kërkonte të spostonte në Meksikë.

për t’u kthyer sëtrish tek fjalimi inaugurues, duhet thënë se edhe këtë rradhë Presidenti Trump bëri më shumë një miting, sesa një akt simbolik të hapjes së presidencës së tij. Nëse synonte të arrinte fjalimin e Ronald Reganit, nuk ja arriti. I mungonte fantazia retorike dhe pathosi i ish-presidentit legjendar republikan. Gjithashtu, është shumë fodull që të lejojë ta ndihmojë asistentët e tij artikull-shkrues, që natyrisht janë më të aftë se ai për t’ju drejtuar turmave. Detaji i fundit, por jo më i parnëdësishmi: nuk prezantoi një program të 100 ditëve të para. Nuk ishte i detyruar ta bënte, por shumë paraardhës të tij e kanë bërë, në momentin që kanë marrë detyrën. Është momenti që tani, kur është edhe formalisht presidenti i SHBA, të na tregojë se çfarë do të bëjë./La Repubblica-

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme