Një aksident i frikshëm ka ndodhur paraditen e së shtunës në aksin rrugor Fier -Tepelenë në Kafaraj, ku një motor ka përplasur për vdekje një këmbësor që po tentonte të kalonte rrugën. Si pasojë e aksidentit, motori ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i ndarë përgjysmë në një kanal anës rrugës.
Viktima është identifikuar si 67-vjeçari Qerim Troka, ndërsa drejtuesi i mjetit mësohet se është plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit.
Ndërkohë, një qytetar ka shprehur indinjatën se përse ambulanca mori të plagosurin dhe la viktimën në rrugë.
“Erdhi ambulanca mori të plagosurin, ndërsa të vdekurin e la në mes të rrugës. Ja ku është shapka atje, turp, turp me këtë shtet. Gjynah, nuk arrij ta kuptoj. Ka një orë i vdekur në rrugë, nuk vjen askush ta marrë”, shprehet ai për Panorama.al.